Politikanë serbë jashtë Listës Serbe janë ankuar publikisht për presione e kërcënime për tërheqje nga gara zgjedhore, por kur prokurorët kanë nisur hetimet, ata nuk kanë pranuar të dëshmojnë në gjykatë, sikurse kishin thënë publikisht. Në Prokurori zyrtarisht nuk kanë asnjë informatë për këto kërcënime. E përfaqësues të partive serbe thonë se problemi është edhe tek institucionet e Kosovës, që, sipas tyre, nuk merren me strukturat paralele apo nuk i marrin raportimet e tyre seriozisht
Në Prokurorinë Speciale nuk kanë informata për presionet e kërcënimet që kanë pranuar partitë e vogla serbe para zgjedhjeve të së dielës. Në një përgjigje për KOHËN thuhet se nuk kanë pranuar asnjë informatë.
E partitë serbe dhe kandidatët e pavarur nga ky komunitet kanë folur publikisht për kërcënimet, që, sipas tyre, i kanë marrë nga Lista Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë për t’u tërhequr nga zgjedhjet lokale të 23 prillit.
Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Slagjana Pantoviq, foli për këto kërcënime pak ditë para zgjedhjeve dhe nuk u tërhoq nga gara. Megjithatë, në ditën e zgjedhjeve, policia i ofroi mbrojtje në qendër të votimit e më pas edhe në shtëpi.
Ndryshe nga Pantoviq, nga këto zgjedhje u tërhoqën Partia e Serbëve të Kosovës dhe iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”. Zyrtarë të dy këtyre subjekteve kanë folur për kërcënime me largim nga puna prej institucioneve të Serbisë që funksionojnë në Kosovë.
“8 punëtorë në Komunën e Leposaviqit para 10 ditësh kanë mbetur pa rroga. Ata të cilët kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor, me bindje të shtetit të vet, Serbisë, e sot u janë ndalur rrogat nga ajo, vetëm sepse janë anëtarë të Partisë së Serbëve të Kosovës ose vetëm pse e kanë ndonjë familjar në listën e partisë”, tha Andrija Ignjatoviq, sekretar i Partisë së Serbëve të Kosovës.
“Unë kur kam kandiduar në vitin 2021 për kryetar të Komunës në Mitrovicë të Veriut, pas disa ditësh më patën larguar nga puna në shkollë si profesor i kimisë ku kam punuar. Ky ishte një presion i dukshëm. Edhe atëherë ka qenë në qeverisje Kurti dhe asgjë nuk ka ndërmarrë”, tha Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa Serbe”.
Arsenijeviq ka thënë për KOHËN se rastin kur është pushuar nga puna si arsimtar i kimisë nuk e ka paraqitur në Policinë e Kosovës.
"Nuk e kam raportuar pasi që ka të bëjë me sistem arsimor të Serbisë dhe Policia e Kosovës nuk merret me këtë sistem, pasi është sistem tjetër”, tha Arsenijeviq.
E për rastet e kërcënimeve serioze e largimet nga puna, Ignjatoviq e ka akuzuar Listën Serbe, ndërsa institucionet e Kosovës për moszgjidhjen e tyre.
“Për rastin ku janë ndalur rrogat për 8 të punësuar, bëhet fjalë për presion lokal nga ana e Listës Serbe. Zyra për Kosovë nuk ua ka ndalur këtyre njerëzve rrogat dhe pasi e kemi njoftuar Zyrën për Kosovë, pagat janë ndarë. Nga Beogradi nuk ka pasur kurrfarë presioni. Ne kemi hequr dorë nga zgjedhjet, pasi kushtet nuk ishin të mira dhe u shndërruan më shumë se zgjedhje lokale. Nuk janë lajmëruar rastet pasi nuk kishte kërcënime, pagat u ndanë pas 8-9 ditëve vonesë. Në vitet e kaluara për zgjedhjet 2017, 2019 e 2021, ne kemi pasur shumë beteja dhe kërcënime. Gjithçka është lajmëruar rregullisht në Policinë e Kosovës, por policia asnjëherë nuk e ka zgjidhur asnjë rast, madje nuk është nisur hetimi nga Prokuroria”, tha Ignjatoviq.
Burime të KOHËS në prokurori bëjnë të ditur se në disa raste, kur prokurorët kanë folur me politikanët serbë, ata nuk kanë pranuar të dëshmojnë në gjykatë se janë kërcënuar, sikurse kishin thënë publikisht.
Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet dhe bëri thirrje që edhe serbët ta bëjnë të njëjtën gjë.