Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Specializantët protestojnë, kërkojnë t’u paguhen kujdestaritë dhe puna gjatë festave

Specializantët kanë protestuar të enjten para Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës për shkak se atyre nuk po u paguhen kujdestaritë 24-orëshe dhe puna gjatë festës.

Drejtori i SHSKU-së, Valbon Krasniqi, më 1 korrik e kishte nënshkruar një vendim, sipas të cilit specializantët mbajnë kujdestari vetëm sipas kontratës. Por, për shkak të nevojës në SHSKUK, ata detyrohen të mbajnë kujdestari pa u paguar. 

Arianit Zajmi, specializant i neurologjisë dhe njëri ndër përfaqësuesit e Këshillit të Specializantëve ka thënë se ata nuk kanë rrugëdalje tjetër pos që t’i bojkotojnë vendet e tyre të punës.

Madje, ai ka konfirmuar që bojkotimi vendeve të punës ka filluar që disa javë.

“Po, është e vërtetë që në fakt jo disa, por shumica e klinikave e kanë sabotuar kujdestaritë e vikendit dhe kujdestaritë e festave. Kemi ndërmend të vazhdojmë protestat dhe madje ti ndjekim rrugët ligjore ndaj atyre institucioneve të cilat janë përgjegjëse për këtë situatë”, ka thënë ai.

Edhe Specializantët protestojnë para MSH-së, kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre Arbëri Specializantët protestojnë para MSH-së, kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre

Zajmi ka bërë të ditur se ata kanë pasur edhe kërcënime që do t’ju hiqet titulli i specializantëve nëse vazhdojnë me greva dhe protesta.

“Praktikisht nuk po zbatohen masa të tilla siç është kjo e fundit që neve po na fyen, po na ofendon, po na diskriminon, dhe nuk po na jep zgjidhje tjetër veçse me i bojkotu kujdestaritë e vendit”, ka treguar Zajmi.

Ai ka bërë të ditur se protesta e tyre do të vazhdojë derisa Ministria nuk i përmbush kërkesat për pagimin e ndërrimeve të tyre.

“Nuk janë duke u paguar pagesat e kujdestarive të vikendit. Ne jemi duke u ballafaquar po them ashtu me një qëndrim mjaft kontradiktorë të krerëve të institucioneve tona, për shkak se kur po vjen puna që ne me i kry shërbimet e shëndetit të popullatës sonë ne po cilësohemi si heronj, si e ardhmja e vendit tonë. Mirëpo, kur po vjen momenti që institucionet tona me i kry obligimet dhe detyrimet e tyre ndaj neve, atëherë ne po harrohemi që ne jemi e ardhmja e këtij vendi”, ka bërë të ditur Zajmi.

Edhe Specializantët paralajmërojnë ndjekjen e rrugёve ligjore nёse nuk u paguhen kujdestaritё shtesё Arbëri Specializantët paralajmërojnë ndjekjen e rrugёve ligjore nёse nuk u paguhen kujdestaritё shtesё

Ai ka thënë se kërkesë i kanë dërguar Ministrisë disa herë, por ata janë përgjigjur ose me heshtje, ose duke thënë se nuk ka fonde të mjaftueshme për ta.

Specializantja e kirurgjisë plastike, Amire Demolli, ka rikujtuar se kujdestaritë 24-orëshe konsiderohen si tri ditë pune për shkak se një ndërrim i tyre është 8-orësh.