Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Speciale për 12 vjet shtet

Java në Kohavision fillon me programin special dedikuar Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Nga ora 07:00 e mëngjesit në 180 minuta do të vijë programi i realizuar nga ekipi i emisionit të mëngjesit SOT.

Intervista me personazhe të veçanta, personalitete që kanë dhënë kontribut në shtetndërtim, reportazhe nga zona të ndryshme të Kosovës, do t’ju shoqërojnë në minutat e mëngjesit të 17 shkurtit. Nuk do të mungojë as muzika live me muzikantë të ftuar, mes të cilëve edhe violinisti Gëzim Latifi, i cili përveç të tjerash edhe do të hapë programin me himnin e Kosovës, në një interpretim të veçantë në versionin me violinë solo.

Pas programit të mëngjesit do të pasojë mbulimi special i Deskut Informativ të KTV-së me intervista me analistë në studio, mbulim live nga terreni dhe transmetim të agjendës zyrtare të manifestimeve të cilat do ta shënojnë këtë ditë. Edhe programi i pasdites “Express” do të sjellë një edicion të veçantë me disa reportazhe dhe materiale të realizuara me disa prej artistëve më në zë të vendit.

Mbrëmja si rëndom edhe këtë herë do të përmbyllet me përmbledhjen ditore në kuadër të magazinës informative “Interaktiv”, e cila të hënën do të vijë në format më të zgjedhuar. Programi maratonik përmbyllet në orën 01:00 pas mesnate.