Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Studentët rrëzojnë Vuçiqin, shqiptarët sigurojnë dy ulëse në Kuvendin e Serbisë

Serbia festa

Foto: Associated Press

  • 25 tetor 2026 08:01

  • Përditësuar: 25 tetor 2026 21:39

  • Shpërndaje në:

Dymbëdhjetë vjet pushtet të Aleksandar Vuçiqit, që opozita e shoqëria civile në Serbi e kanë quajtur diktatorial, kanë marrë fund të dielën mbrëma.

Partia e udhëhequr nga ai, SNS, ka humbur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë zgjedhore me shumë incidente e parregullsi të raportuara.

Fituese është Lista Studentore, që sipas organizatës që monitoron zgjedhjet – CRTA – ka fituar 51.7 për qind.

Sipas të dhënave të saj, bazuar në rezultatet nga një mostër vendvotimesh, SNS-ja e Vuçiqit ka fituar 40.42 për qind. 

Humbjen e ka pranuar edhe vetë Vuçiqi, vetëm një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve.

“Në bazë të mostrës, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa në rreth 105 mandate”, ka thënë Vuçiqi nga shtabi i partisë në Beograd. “Ne kemi rreth 1.720.000 vota, ndërsa ata rreth 2.200.000”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka vazhduar të akuzojë Listën e Studentëve si bllokuese dhe të dëmshme për Serbinë. Ka thënë se fitorja e kësaj liste është arritur falë ndihmës së shteteve që sipas tij, nuk ia duan të mirën Serbisë.

E festë pati në shtabin e Listës Studentore, që në këto zgjedhje garoi me sloganin “Studentët fitojnë”.
Kandidatët e kësaj liste, së bashku me studentët, kanë kënduar e brohoritur “Fitore”.

“Kurrë më tiranë në vendin tonë”, ka thënë Ilija Sërdanoviq, i pari në Listën Studentore.

Nga partitë serbe nuk pritet të kalojë asnjë tjetër pragun zgjedhor prej tre për qind, përfshirë edhe atë që udhëhiqet nga Ivica Daçiq – SPS. Kjo parti, sipas CRTA-s, ka fituar pak mbi 2 për qind.

E nga partitë pakicë në Serbi, pritet të sigurojnë ulëse ato shqiptare, hungareze dhe me mundësi edhe boshnjake.

Shqiptarët kanë garuar në këto zgjedhje në një listë të vetme me emrin “Koalicioni shqiptar”.

I pari në këtë listë, Shaip Kamberi, ka thënë se shqiptarët kanë siguruar dy ulëse në bazë të rezultateve të deritashme e ka mundësi të sigurohet edhe ulësja e tretë.

“Arritje historike! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin! Sipas rezultateve preliminare, ‘Koalicioni Shqiptar’ ka marrë 27.230 vota, që me rritjen prej 35% të koeficienteve zgjedhore për pakicat kombëtare japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash. Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz. Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij. Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Në legjislaturën e fundit, shqiptarët janë përfaqësuar me vetëm një deputet në Kuvendin e Serbisë – Kamberin.

Rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” e ka quajtur historik edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u ka bërë shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdimisht thirrje për dalje për të votuar.

“Sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.230 vota në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që me rritjen prej 35% të koeficienteve zgjedhore për pakicat kombëtare, përkthehen në ekuivalentin e 36.761 votave për përllogaritjen e mandateve. Dy mandate të projektuara në Kuvendin e Serbisë, me garën për të tretin ende të hapur! Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar. Ndërkohë, Aleksandar Vuçiq ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhje përballë Listës Studentore. Edhe Ivica Daçiq po përballet me një humbje të rëndë, me listën e tij që, sipas projeksioneve preliminare, mbetet nën pragun zgjedhor prej 3%. Urime të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që e bënë të mundur këtë bashkim!”, ka shkruar ai në Facebook.

Në fakt, pas pranimit të humbjes nga Vuçiqi, në shumë qytete të Serbisë ka shpërthyer festë e madhe, sidomos në Beograd, ku institucionet kryesore të vendit, pak para mbylljes së vendvotimeve u rrethuan nga xhandarmëria serbe. 

Lista Studentore është paraqitur në zgjedhje pas gati dy vjetësh protesta, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi-Sad, që ka lënë të vdekur 16 persona.

Pas shumë protestash e presioni, Vuçiqi para pak javësh ka dhënë dorëheqjen si president dhe ka shpallur zgjedhjet e reja, duke garuar në to si kandidat për kryeministër.

Kjo lëvizje studentore ka mbledhur në një listë 250 profesorë e pjesëtarë të ndryshëm të shoqërisë civile, që tash do të ketë shumicën në Kuvendin e Serbisë.

Dalja e votuesve ishte e madhe. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 69.7 për qind, që kur të shtohen edhe votat nga diaspora serbe, mund të thyejë rekordin e vitit 2000, kur ishte rrëzuar regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) ka njoftuar se deri në orën 20:00 ka regjistruar mbi 300 raportime për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në uebfaqen e saj, qendra ka shkruar se ndër problemet kryesore ishin parregullsitë në organizimin e votimit jashtë vendvotimeve, raportimet për votim pa paraqitur letërnjoftimin, rastet e përsëritura të fotografimit të fletëvotimeve dhe votimi familjar apo në grup.

Raportimet tregojnë edhe për probleme në punën e këshillave të vendvotimeve, mosfunksionim të pajisjeve për verifikimin e votuesve, ndërprerje të votimit dhe vështirësi në ushtrimin e së drejtës së votës.
 

Vëzhguesit e OSBE-së për zgjedhjet në Serbi: Pjesëmarrja e lartë është shenjë e mirë

19 o. më parë / 25 tet 2026 11:35
serbi

Vëzhguesit e ODIHR-it po monitorojnë gjithashtu zgjedhjet në Serbi. Koordinatori Special i OSBE-së për misionin e vëzhgimit afatshkurtër, Gilles Baum, thotë se pjesëmarrja e lartë është një shenjë e mirë për vendin. Kryetarja e misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Federica Honori, theksoi se jo të gjitha rekomandimet e ODIHR-it u ndoqën, shkruan N1.

Në një konferencë për shtyp, Gilles Baum tha se këto zgjedhje të parakohshme parlamentare janë të rëndësishme për Serbinë.

"Kemi vënë re se ka shumë interes për këto zgjedhje dhe do të thoja se pjesëmarrja e lartë tregon se njerëzit në Serbi janë shumë të interesuar në formësimin e së ardhmes dhe demokracisë së tyre. Kur shumë veta shkojnë të votojnë, kjo është një shenjë e mirë për vendin", tha ai.

Federica Honori, e cila është gjithashtu deputete italiane, thotë se rreth 70 anëtarë të këtij misioni po monitorojnë zgjedhjet në të gjithë Serbinë, se ky mision do të ketë të gjitha detajet sot dhe se do të shpallë gjetjet e tij në një konferencë nesër në Metropol në orën 15:00.

Ajo theksoi se rekomandimet e ODIHR-it janë përmbushur, por jo plotësisht, kryesisht ato që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe përdorimin e fondeve publike për shpenzime fushate dhe qëllime politike.

Bom shtoi gjithashtu se misioni i ODIHR-it u takua me dy parti kryesore politike, Listën e Studentëve dhe listën e Serbisë së Bashkuar, dhe se të dy grupet, tha ai, i thanë se do t'i njihnin rezultatet e zgjedhjeve kur ato të shpalleshin.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare po mbahen sot në Serbi, dhe qendrat e votimit janë të hapura nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes, sipas orarit.

6,451,292 votues kanë të drejtë vote , dhe zgjedhjet po mbahen në 8,392 qendra votimi, nga të cilat 29 janë në burgje dhe 93 jashtë vendit në 37 vende, ku ka 102,147 votues.

Një total prej 2,418 kandidatësh nga 18 lista zgjedhore, gjysma e të cilave kanë statusin e listave të pakicave, do të garojnë për 250 vende parlamentare në Parlamentin e Serbisë . Pragu për hyrje në parlament është tre përqind, ndërsa pragu natyror zbatohet për listat e pakicave kombëtare.

Votojnë shqiptarët në Preshevë

19 o. më parë / 25 tet 2026 11:33
zgjedhje

Qytetarët shqiptarët po votojnë në qendrat e votimit në Preshevë.

Disa prej tyre i’u kanë drejtuar shkollës ‘Ibrahim Kelmendi”.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku qytetarët do të votojnë për përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00 dhe në fletëvotim do të jenë gjithsej 18 lista zgjedhore.

Ndërkohë, është hera e parë që shqiptarët garojnë në një listë zgjedhore të përbashkët në zgjedhjet e Serbisë.

Votuesit në Serbi presin që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë paqësore

19 o. më parë / 25 tet 2026 11:30
Zgjedhjet ne Serbi

Photo: Associated Press

Votuesit serbë kanë shprehur pritshmëritë e tyre teksa po votojnë të dielën në zgjedhjet parlamentare, të cilat shihen si një përballje mes liderit populist të vendit ballkanik, Aleksandar Vuçiq, dhe një lëvizjeje studentore që udhëhoqi protestat kundër tij për gati dy vjet.

Votues të shumtë janë rreshtuar para qendrave të votimit dhe kanë shprehur shpresën se zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë paqësore, raporton AP.

“Shpresoj që gjithçka të shkojë paqësisht dhe të përfundojë mirë, në mënyrë që të tjerët, pavarësisht se si do t’u shkojnë punët, të mos shkaktojnë probleme dhe që më në fund të agojë një ditë e re në këtë vend, pas shumë vitesh”, ka thënë Jovan Mitroviq, një votues në Beograd.

Aida Rodiq ka shprehur entuziazmin e saj pasi ka hedhur votën.

“Kjo më kujton kohën kur isha e re, kur dita e votimit ishte një ditë e veçantë. Edhe kjo ditë është e veçantë për mua. Jam shumë e emocionuar, pas 30 vjetësh, ndihem vërtet e emocionuar”, ka thënë Rodiq.

Ndonëse 6.4 milionë votuesit në Serbi mund të zgjedhin mes 18 partive që synojnë të fitojnë vende në parlamentin me 250 deputetë, zgjedhjet kanë marrë formën e një referendumi mes Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit, të krahut të djathtë, dhe Listës së Studentëve, e mbështetur nga të rinjtë.

Besohet se dy forcat kryesore po garojnë kokë më kokë, duke i bërë zgjedhjet e së dielës më të paparashikueshmet e viteve të fundit.

Pritet që pjesëmarrja në votime të jetë e lartë, gjë që mund të bëjë që shumica e partive më të vogla të mos e kalojnë pragun prej 3 për qind, të nevojshëm për të hyrë në parlament.

Ndërsa Vuçiq ka arritur vazhdimisht ta mposhtë opozitën e përçarë të Serbisë në të kaluarën, lëvizja studentore pa udhëheqës të vetëm, është dëshmuar si një kundërshtare e fortë, duke tronditur kontrollin e tij të hekurt mbi pushtetin në një mënyrë që askush tjetër nuk kishte arritur ta bënte gjatë 14 vjetëve të fundit, që kur partia e tij ka ardhur në pushtet.

Një fitore e studentëve ka të ngjarë të ketë jehonë përtej Serbisë, në një kohë kur vendet në mbarë Evropën po përballen me protesta të të rinjve dhe studentëve.

Zgjedhjet lokale të mbajtura në fillim të këtij viti në 10 komuna të Serbisë u shoqëruan me sulme të dhunshme ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.

Zgjedhjet e mëparshme parlamentare, të mbajtura në vitin 2023, u pasuan nga protesta të opozitës, e cila pretendonte se kishte pasur manipulime zgjedhore.

Radhë të gjata para vendvotimeve në Serbi, pjesëmarrja deri në orën 09:00 arrin në 12%

19 o. më parë / 25 tet 2026 11:17
SERBI

Foto: AP

Qytetarët e Serbisë po u drejtohen kutive të votimit këtë të diel, më 25 tetor, për zgjedhje të tjera të parakohshme parlamentare – të tretat në pesë vjetët e fundit. Në to, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare do të synojë t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas të dhënave të para të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), deri në orën 09:00 kanë votuar 12 për qind e votuesve, krahasuar me 5,2 për qind në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2023. Ky vlerësim bazohet në të dhënat nga 750 vendvotime.

CeSID-i njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.

Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.

Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve.

“Veçanërisht shqetësues është pengimi i qasjes së vëzhguesve. Në disa vendvotime, vëzhguesve nuk u është lejuar qasja, ndaj duhet të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse dhe të ndërhyjmë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre”, tha CeSID-i.

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.

Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit./REL

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë thirrje shqiptarëve në Luginë: Dilni masivisht në votime

21 o. më parë / 25 tet 2026 09:22
Ferit Hoxha

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që masivisht të marrin pjesë në zgjedhjet të cilat po mbahen sot në Serbi.

Përmes një postimi në rrjetin social X, ka deklaruar se secila votë ka rëndësi për të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ka deklaruar se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje ndikon në forcimin e zërit të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe përfaqësimin politik.

Deri në 180 minuta pritje në Jarinjë për dalje nga Kosova

22 o. më parë / 25 tet 2026 08:21
kufi

Foto nga arkivi

(Artikull i përditësuar 9:40) - Kolona të veturave për dalje nga Kosova në pikat kufitare në Jarinjë, Bërnjak, Merdar e Dheu i Bardhë janë raportuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar. 

Sipas të dhënave të përditësuara në orën 9:24, pritjet në Jarinjë për dalje nga Kosova shkojnë deri në 180 minuta, në Bërnjak deri në 50 minuta, në Merdar deri në 120 minuta e te Dheu i Bardhë 80 minuta.

Pikat tjera kufitare, sipas të dhënave të paraqitura, nuk janë të ngarkuara.