Arbëri

Zyrtari i dytë policor dëshmon për rastin e Banjskës

clirim

(E përditësuar) - Çlirim Shaiqiri, zyrtar policor nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë është dëshmitari i dytë i Prokurorisë në rastin “Banjska”.

Ai gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka marrë lëndime të rënda si pasojë e sulmit dhe vazhdon ende të marrë trajtim mjekësorë.

“Gjatë ditës së 23 shtatorit kemi pasur detyra të rregullta. Në pjesën e paradites gjendja ka qenë e qetë, nuk ka pasur diçka të jashtëzakonshme. Pasi kemi përfunduar ndërrimin kemi vazhduar në bazën e Kushovës... Pasi kemi bërë zëvendësimin e kolegëve në ora 20 kemi vazhduar me detyra ku diku pas një ore kemi marrë një informatë përmes dhomës komanduese për një veturë të dyshimtë. Kemi vazhduar në patrullim, vetura ka qenë me targat KM ngjyrë hiri. Gjatë asaj kohe vetura është verifikuar nga dhoma komanduese. Dhe më pastaj kemi vazhduar me detyra të rregullta si zakonisht deri në orarin e asaj pike, në orën 2 e 10”, ka thënë ai.

Shaqiri tutje ka treguar për shkuarjen në Banjskë.

“Pasi kemi pranuar zëvendësimin, kemi vazhduar në drejtim të bazës së Kushtovës bashkë me kolegët Mirsad Kryeziu edhe Alban Rashiti dhe rrugës për në fshatin Basnjskë kemi vërejtur dy kamionë të cilët e kanë bërë bllokimin e rrugës, kemi tentuar të kontaktojmë më dhomën komanduese për bllokimin e rrugës por s’ka pas valë dhe nuk ka punuar radiolidhja. Kemi kërkuar një vend me të përshtatshëm për të dhënë informatën, ku ka valë për radiolidhje dhe i kemi informuar për bllokimin e rrugës. Pasi kemi dhënë informatën në dhomën komanduese na është thënë që të kthehemi në fshatin Banjskë për të marrë pamje që për çështje operative t’i dërgojmë që me e pa si është gjendja. Kur kemi kontaktuar me dhomën komanduese kanë thënë se po vinë disa patrulla nga Stacioni i Zveçanit dhe kanë thënë se do ju kontaktojë nënkolonel Veton Elshani”, ka thënë ai.

Tutje ka dëshmuar se rreth orës 3 në lokacion ka shkuar patrulla nga stacioni i Zveçanit në krye me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjaku.

“Në ato momente kemi bërë një komunikim mes kolegësh ku kemi ndarë pozicione ose detyra. gjatë komunikimit me zyrtarin Rashiti më është thënë që të qëndroj te vetura gjersa kanë vazhduar zyrtarët e tjerë për kontrollim të kamionëve. Në ato momente më ka kontaktuar Veton Elshani në telefon ku i kam treguar se ka ardhur patrulla dhe gjatë bisedës me të kanë ndodhur dy shpërthime të njëpasnjëshme, kam arritur t’i them në telefon se ka gjuajtje, pasi ato kanë filluar menjëherë dhe kam marr pozicion mbrojtjeje”, ka thënë ai.


Rashiti: Sulmi në Banjska nuk ishte nga një grup i thjeshtë kriminal

Gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në shtator të vitit 2023 – po vazhdon sot me seancën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë seancë ka dëshmuar zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, i cili ishte plagosur në aksion.

“Informatën e parë për një veturë të dyshimta e kemi pranuar në ora 21 dhe informata ka qenë nga dhomat komanduese, një veturë është e parkuar në një livadh dhe ajo informatë është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe sipas tyre ajo veturë është e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Rashiti në nisje të dëshmisë.

Ai ka treguar për shkuarjen e njësiteve të tjera të Policisë në vendngjarje, përfshirë edhe rreshterin e vrarë, Afrim Bunjaku.

“Sa kemi arritur në fshatin Banjska më saktësisht te ura, kemi vërejtur dy kamionë, peshë e rëndë, që kanë bllokuar ose barrikaduar urën, pra kanë qenë mbi urë të parkuar, paralel. Kemi vëzhguar fillimisht a ka diçka të dyshimtë, nuk kemi pa persona që po lëvizin, kolegët kanë tentuar ta lajmërojnë menjëherë dhomën komanduese mirëpo ka pasur problem me kalu radiolidhjen dhe e kemi parë të arsyeshme që të shkojmë në një pozicion tjetër që të komunikojmë lirshëm. Kemi vazhduar në rrugën kryesore, nuk ka pasur diçka të dyshimtë, kemi kontaktuar me dhomën komanduese dhe i kemi raportuar për dy kamionët e dyshimtë që kishin barrikaduar urën. Nga dhoma komanduese na është kërkuar të kthehemi në vendngjarje dhe mundësisht na janë kërkuar foto, menjëherë jemi kthyer në hyrje të fshatit Banjska. Veturën e kemi parkuar diku 30 metra larg kamionëve për shkak se kishte shumë ndriçim. Nga dhoma komanduese na është thënë se janë dërguar 2 njësi për asistencë, njësi të Zveçanit. Jemi dalë me kolegët Mirsadin dhe Çlirimin. Unë dhe Mirsadi jemi afruar te kamionët me shiku nëse ka diçka të dyshimtë, nuk ka vonuar më shumë se 20 minuta kanë arritë dy vetura policore në vendngjarje, aty kanë qenë 6 policë përfshirë të ndjerin Afrim Bunjaku, unë kam qenë afër kamionëve e Mirsadi ka komunikuar me kolegët e tjerë. Mirsadi me një kolegë kanë vazhduar në drejtim të kamionëve, t’i shikojnë për së afërmi. E kujtoj që rreshteri Afrimi ka ardhur dhe jemi konsultuar që t’i marrim disa pozita dhe të jemi në gjendje gatishmëria pasi e dinim që mund të kishte rrezik”, ka shtuar ai.

Rashiti tutje ka rrëfyer momentin e vrasjes së rreshterit Bunjaku dhe plagosjen e tij.

Ka shtuar se pas shpërthimeve, ka pasur gjuajtje nga dhjetëra pozicione në drejtim të tyre.

“Nuk ka pasur diçka tjetër të dyshimtë përpos kamionëve dhe ndriçimit, pasi ka qenë ndriçim shumë më i madh se ditëve tjera. Gjendja në fshat ka qenë thuajse qetësi absolute gjë që nuk ka qenë e zakonshme në atë kohë. Kam kërkuar nga kolegu Çlirimi t’i përdorë dylbitë termike që të shikojë nëse ka diçka të dyshimtë. Ndoshta kur jam larguar 3 apo 4 metra nga Afrim Bunjaku, nga ana e majtë ka ndodhë një shpërthim i papritur dhe jam plagosur në anën e majtë. Shpërthimi ishte shumë i madh, eksplodim shumë i madh. Jam munduar të kalojë në pozitë mbrojtëse afër një kamionete menjëherë ka ndodhur një shpërthim tjetër. Pa u vonuar shumë kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri, kur kanë filluar kemi parë që ka gjuajtje nga tërë fshati, nga dhjetar pozicione me armë të kalibrave të ndryshëm, kemi filluar të kthejmë zjarrin, mirëpo në anën e majtë timen kam vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë dhe i gjakosur nga qafa dhe i palëvizshëm dhe kemi kërkuake nga Çlirimi të afrohet me veturë që ta tërheqim rreshterin nga ai vend, ai është nisur me makinë dhe e kanë goditur me predha të ndryshme dhe e kanë bërë veturën e palëvizshme”, ka vazhduar ai.

Ai tutje ka treguar për momentin e tërheqjes së rreshterit Bunjaku.

“Pasi që ka ardhë Çlirimi te unë, nga kolegu Mirsadi më është kërkuar që të i godas dritat te ura pasi që plumbat vinin afër neve. I kemi goditur dritat për të krijuar një errësirë, pastaj më është kërkuar nga Mirsadi që ta mbuloj me zjarr, edhe pse kam qenë i plagosur, por nuk i kam treguar kolegut, kam filluar ta mbuloj me zjarr Mirsadin. Ai ka shkuar te vetura e tjetër që ta sjellë e ta tërheqim rreshterin Bunjaku. Kanë shti zjarr dhe Mirsadi ka kërkuar që rreshterin ta fusim në veturë”, ka dëshmuar ai.

Rashiti ka theksuar se terroristët po i vëzhgonin përmes dronit gjatë kohës sa kishte gjuajtje nga të dyja anët.

Ai ka thënë se ka shtënë në drejtim të tij, por ka theksuar se nuk është i sigurt nëse e ka goditur.

“Ato momente ishin të vështira pasi që ishim më pak zyrtarë policorë, veturat i kishim të dëmtuara nga predhat, mua më rridhte gjak, gjithashtu vërejta që jam i plagosur edhe në këmbë dhe aty kam vërejtur që ka qenë një dron duke na vëzhguar lëvizjet, kam shtënë në drejtim të dronit por nuk e di a e kam goditë. Aty kam kaluar nga kolegët që të bashkohemi në një pikë të vetme, pasi disa ishin në një pikë tjetër, kemi arritur me mbulim të zjarrit të grumbullohemi dhe aty e kemi parë gjendjen që gjuajtjet thuajse u ndalën dhe kishte lëvizje të dyshimta dhe menduam që personat që po na sulmonin po afroheshin tek ne. Aty prapa kemi filluar ballafaqimin deri në momentin kur ka ardhur asistenca nga Kushtova”, ka thënë ai.

Sipas Rashitit, për përdorimin e armëve që janë përdorur duhet të ketë trajnime specifike. Ka theksuar se gjithçka ka qenë e koordinuar, pra sipas tij, ata kanë qenë një grup mirë i përgatitur dhe nuk ka qenë grup kriminal i zakonshëm.

“Kanë qenë të strukturuar shumë mirë, aty është gjuajtur edhe me raketahedhës që kërkon kompetencë, as ushtari i thjeshtë nuk di ta përdorë raketahedhësin”, ka thënë ai.

Rashiti ka thënë se ende nuk e ka filluar punën shkaku i plagëve që ka marrë atë ditë.

VIDEO:

Kjo është seanca e dytë që mbahet për këtë rast, ku përveç tyre akuzohen edhe 41 persona të tjerë fizikë që janë në arrati dhe një juridik. 

Në seancën e parë që është mbajtur në prill të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë arrestuar pas sulmit të kryer nga një grup i armatosur i serbëve që është udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Sërpska, Millan Radojiçiq, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, për financim të terrorizmit dhe për vepra të rënda penale.
Për të akuzuarit që janë në arrati Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se nuk e ka mundësi ligjore për ndërmarrë gjykim në mungesë.

Të akuzuar në këtë rast janë 45 të pandehur - Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet në Kosovës e kanë kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij.