(E përditësuar në 10:00) - Gjykata Themelorë në Prishtinë i ka dënuar me nga 5 vjet burgim Millun Millenkoviqin të njohur si Llune dhe Aleksandër Vllajiqin, për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, të kryer më 6 dhjetor të 2022-tës.
Për këtë rast Dejan Pantiq është dënuar me 2 vjet burgim ndërsa Miomir Vakiq është liruar nga akuza.
Të akuzuarit, nuk kanë marrë pjesë në seancën ku është shpallur aktgjykimi, meqë kanë kërkuar të mos jenë të pranishëm.
Pas vendimin në një njoftim Prokuroria Speciale e ka mirëpritur aktgjykimin fajësues dhe ka paralajmëruar se pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do ta shqyrtojë të drejtën e ankesës.
“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen”,
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor të 2022-tës është kryer sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe një autoambulancë është përdorur për bartjen e granatave të dorës.
Sipas aktakuzës, granatat i ka marrë i akuzuari Milun Milenkoviq, i cili gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare të tij i ka mohuar akuzat.
Ndërkaq, Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë të akuzuar se kanë hedhur granata dore dhe shok bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Të akuzuarit dhe avokatët e tyre në fjalët përfundimtare patën akuzuar Prokurorinë për aktakuzë të pabazuar në prova.
Ndërkohë Prokuroria Speciale pati kërkuar dënimin e tyre. Prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, në seancën e fjalës përfundimtare për rastin, pati thënë se provat materiale dhe dëshmitë e paraqitura e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve, teksa e pati theksuar rëndësinë e dënimit meritor për t’i parandaluar sulmet e ngjashme.