Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues për tre nga katër të akuzuarit për sulmin terrorist të 2022-tës në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut. Me nga pesë vjet burgim, për veprën penale terrorizëm, i dënoi Millun Millenkoviqin - i njohur si Llune, dhe Aleksandër Vllajiqin. Ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, ia zbuti veprën penale nga terrorizëm, në huliganizëm dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie. E të akuzuarin e katërt, Miomir Vakiq, e liroi nga akuzat
Ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq, është liruar të hënën nga akuza për terrorizëm në rastin e sulmit ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, më 6 dhjetor 2022.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ricilësoi atij veprën penale nga terrorizëm, në huliganizëm dhe për këtë e dënoi me 2 vjet burgim.
Aktgjykim dënues, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, nxori të hënën edhe për dy të akuzuar të tjerë për këtë rast - Millun Millenkoviq - i njohur si Llune, dhe Aleksandër Vllajiq.
Për veprën penale terrorizëm, secilit prej tyre iu shqiptua dënimi me burgim prej 5 vjetësh.
“Millun Millenkoviq e Aleksandër Vllajiq janë fajtorë për veprën penale, kryerja e veprës terroriste nga neni 129. I akuzuari, Dejan Pantiq, është fajtor për veprën penale të ricilësuar, pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm”, ka thënë gjyqtari Kurtaj.
Por aktgjykim dënues Gjykata nuk nxori edhe për të akuzuarin e katërt, Miomir Vakiq.
“I akuzuari, Miomir Vakiq, për shkak se nuk është provuar se e ka kryer veprën penale, lirohet nga akuza për veprën penale, kryerja e veprës terroriste”, ka thënë Kurtaj.
Në shqiptimin e dënimeve, asnjëri nga të akuzuarit nuk ka marrë pjesë në seancë, pasi kanë kërkuar që të mos jenë të pranishëm në sallë gjykimi.
Këtë aktgjykim fajësues për të akuzuarit e ka mirëpritur Prokuroria Speciale, por ka paralajmëruar se, pas pranimit të aktgjykimit të plotë, do ta shqyrtojë të drejtën për ankesë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në dhjetor të vitit 2022 në Mitrovicë të Veriut. Gjykata e shkallës së parë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq, ndërsa e ka liruar nga akuzat Miomir Vakiq. Pas pranimit të aktgjykimit të plotë, prokurori i rastit do ta shqyrtojë të drejtën e ankesës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor 2022, është kryer sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe një autoambulancë është përdorur për bartjen e granatave të dorës.
Sipas aktakuzës, granatat i ka marrë i akuzuari Milenkoviq, i cili në seancën paraprake i ka mohuar akuzat. E të akuzuarit Vllajiq, Pantiq e Vakiq akuzohen se kanë hedhur granata dore dhe shok bomba, me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veriun e banuar kryesisht me serbë.