Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Seanca konstituive

Haxhiu dështon të bëhet kryeparlamentare, seanca vazhdon të hënën

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Pas dy dështimeve, sot (e shtunë) po bëhet përpjekja e tretë për të konstituuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Në përpjekjen e tretë ka kaluar raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve, por Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar dy herë që ta zgjedhë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Pas dështimit të dytë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën duke e shtyrë për të hënën. Ndiqni të gjitha zhvillimet e sotme këtu

LIVE:

Krasniqi: Nëse digjen mandatet, digjen për të gjithë – jo vetëm për ata që votuan kundër

1 v. më parë / 19 pri 2025 12:05
Redaktori i gazetës KOHA, Besnik Krasniqi

Redaktori i gazetës KOHA, Besnik Krasniqi, ka thënë se nëse digjen mandatet, digjen për të gjithë – jo vetëm për ata që votuan kundër, duke reaguar ndaj deklarimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për mundësinë e zëvendësimit të deputetëve që votuan kundër raportit për verifikimin e mandateve në seancën e 15 prillit.

Sipas tij, raporti në fjalë përfshin të gjithë deputetët e zgjedhur dhe, nëse konsiderohet se janë djegur mandatet, atëherë kjo duhet të vlejë për të gjithë 120 deputetët e legjislaturës së re, e jo vetëm për ata që votuan kundër.

“Raporti flet për të gjithë deputetët. Nëse u digjen mandatet, nuk u digjen vetëm atyre që kanë votuar kundër, por 120 deputetëve që janë zgjedhur në këtë legjislaturë. Nuk ka logjikë që të digjen vetëm mandatet e deputetëve që votuan kundër raportit”, theksoi Krasniqi.

Sipas Krasniqit, problemi është se deputetët po e luajnë rolin e arbitrit.

“Problemi është se ligjvënësit po e luajnë rolin e arbitrit që nuk po i besojnë një institucioni si KQZ-ja që ka ceritifikuar këta deputetë”, ka shtuar ai.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, më herët paralajmëroi se e vetmja rrugë për t’i ikur zgjedhjeve është që të zëvendësohen deputetët të cilët nuk e votuan raportin për verifikimin e mandateve në seancën e 15 prillit.

Murati: E vetmja rrugë për t’u ikur zgjedhjeve, zëvendësimi i deputetëve që nuk votuan raportin

1 v. më parë / 19 pri 2025 11:50
Hekuran Murati

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se e vetmja rrugë për t’i ikur zgjedhjeve është që të zëvendësohen deputetët të cilët nuk e votuan raportin për verifikimin e mandateve në seancën e 15 prillit.

Ai e ka cilësuar votimin e asaj seance si refuzim të qartë nga ana e opozitës për të marrë mandatin.

“Po më duket që disa ende nuk e kanë të qartë se çfarë ka bërë opozita me 15 prill. Raporti për verifikim të mandateve u hodh në votim dhe u refuzua si rezultat i votave të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe. Vendimi tashmë është konsumuar Në rivotim çështja hidhet vetëm nëse herën e parë nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje, siç ka qenë rasti në vitin 2014, me vetëm 44 deputetë që kanë marrë pjesë në votim herën e parë”, ka shkruar Murati.

“Deputetët nuk mund të japin betimin, sepse kanë refuzuar verifikimin e mandateve të veta. Kjo përbën refuzim të mandatit dhe e kthen procesin në pikën zero”, ka shtuar ai, duke e quajtur vendimin e opozitës si një veprim të paprecedent.

Murati theksoi se vendi ndodhet përballë dy mundësive: ose organizimi i zgjedhjeve të reja, ose zëvendësimi i deputetëve që kanë refuzuar mandatin.

“E vetmja rrugë tjetër për të evituar zgjedhjet është një marrëveshje politike, ku deputetët që kanë refuzuar mandatin të tërhiqen dhe të zëvendësohen nga kolegët e tyre të listave përkatëse. Një praktikë e tillë është ndjekur më parë me deputetët e Listës Serbe”, deklaroi Murati.

Abdixhiku: Kryesuesi i seancës ta respektojë skenarin e Kuvendit, jo të partisë

1 v. më parë / 19 pri 2025 11:45
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, po vepron sipas skenarit të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa, i ka bërë thirrje që ta respektojë procedurën siç parashihet.

Ai ka shtuar se janë të hapur për konsultime, siç ka paralajmëruar presidentja, derisa ka theksuar se “është për turp çfarë po ndodh deri tani”.

"Është me interes kombëtar që institucionet e Kosovës të formohen e të nis betimi i deputetëve. Ftoj të respektohet Kushtetuta dhe procedura. Shpresoj që kryesuesi i kësaj seance, që rastis të jetë më i vjetri e që rastis të jetë nga partia e parë, të respektoj skenarin e Sekretariatit të Kuvendit e jo skenarin e partisë. Nëse në Kuvend veprojmë me skenarë të partisë, kemi thyer rendin kushtetues. Ka një skenar të përgatitur nga Kuvendit të cilin ne e respektojmë".

Abdixhiku u shpreh se LDK-ja do të votojë kundër raportit për verifikimin e mandateve derisa qeveritarët nuk kanë dorëzuar dorëheqjet.

“Nëse ata janë të bindur se gjithçka është në rregull le të votojnë. Ne jemi të bindur se është antikushtetuese. Ne do të votojmë kundër. Ne nuk jemi kundër mandateve tona. Janë 105 deputetë me mandate të rregullta, janë vetëm 15 që nuk duhet t'u verifikohet mandati sepse nuk kanë dhënë dorëheqje”.

E, deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha “as Kuvend, as Qeveri”, kur u pyet nëse do të votojnë për apo kundër sot në seancën konstituive.

Krasniqi: Dehari të mos bjerë nën ndikimin e manipulimeve partiake

1 v. më parë / 19 pri 2025 11:45
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit dhe ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të mos ndikohet nga, siç i quajti ai, manipulimet partiake.

“E ftoj kryesuesin të mos bie nën ndikimin e manipulimeve partiake dhe ta luajë rolin e tij si i pari në mesin e barabartë, ashtu siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit, dhe ta hedhë në votim raportin për verifikimin e mandateve. Skenari ka qenë kështu, edhe sot duhet të jetë kështu”, theksoi Krasniqi.

Ai bëri thirrje për avancimin e procesit të formimit të institucioneve të reja, duke kërkuar që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim.

“Jemi këtu për ta konstituar Kuvendin dhe për t’i dhënë drejtim formimit të institucioneve të tjera. Andaj, i ftoj të gjithë deputetët që të jenë në sallë për të votuar”, deklaroi Krasniqi në një prononcim për media para seancës konstituive të shtunën.

Ai kritikoi vendimin e Deharit për të thirrur sërish konsultime, të cilat sipas tij bien jashtë kompetencave të tij.

“Përsëri kryesuesi ftoi konsulta jashtë kompetencave të tij, por ne erdhëm për të treguar se jemi për të ecur përpara”, shtoi ai.

Berisha s’përgjigjet për takimin konsultativ, fton të protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

1 v. më parë / 19 pri 2025 11:30
beke berisha

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, nuk është përgjigjur nëse partia e tij merr pjesë në një takim konsultativ me partitë e tjera për t’u marrë vesh rreth seancës konstituive të Kuvendit.

Ai u është përgjigjur mediave për një çështje tjetër. Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Pse nuk shkoni te zyrat e ZRRE-së dhe i thërras gjithë popullin e Kosovës me dalë me demonstru për rrymën që e kanë shtrenjtu. Na jemi veç tu u sjellë, një palë fjalë”, ka thënë ai.

Abrashi: Deputetët që nuk votuan raportin për verifikimin e mandateve duhet të zëvendësohen

1 v. më parë / 19 pri 2025 11:06
Artan Abrashi

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se kolegët e tij që nuk votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve duhet të zëvendësohen nga kandidatët e radhës në listat e subjekteve përkatëse.

Raporti për verifikimin e mandateve të martën nuk mori votat e mjaftueshme pasi nuk u votua nga opozita dhe disa nga pakicat, ndërsa të enjten nuk u hodh fare në votim. Sot do të bëhet përpjekja e parë për ta kaluar këtë raport.

“Nëse një deputet refuzon verifikimin e mandatit, atëherë ai realisht ka refuzuar të bëhet përfaqësues i qytetarëve. Andaj, ata që nuk kanë votuar duhet të zëvendësohen nga kandidatët e radhës në listat e subjekteve përkatëse, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Ai theksoi se vendi nuk mund të mbetet në një situatë të bllokuar dhe se tashmë ekzistojnë disa opsione për të dalë nga kjo krizë.

Në këtë kontekst, Abrashi përmendi edhe propozimin e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka sugjeruar datën 15 qershor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për këtë propozim, por kërkohen konsultime paraprake. Bllokimi nuk është zgjidhje. Le të deklarohen të gjithë për opsionin që e përkrahin”, shtoi ai.

IKD-ja ofron në Kuvend modelin e dorëheqjes që secili qeveritar ta nënshkruajë

1 v. më parë / 19 pri 2025 11:02 Nga: Ekonomia Online
ikd

Photo: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësoi se nga momenti i dhënies së betimit si deputet në asnjë rrethanë një person nuk mund të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, qoftë ai kryeministër apo ministër.

Naim Jakaj nga IKD-ja në një konferencë për media ka thënë se IKD-ja ka përgatitur një shkresë të dorëheqjes që do ta dorëzojnë në Kuvend dhe do t’ i ofrohet secilit qeveritar për ta nënshkruar dhe për të dhënë dorëheqje në kohën e duhur.

“Nga momenti i dhënies së betimit si deputet në asnjë rrethanë një person nuk mund të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, qoftë ai kryeministër apo ministër. Që nga dhënia e betimit duhet të dorëzojnë dorëheqjet e tyre. Sa i përket letrës të dorëheqjes së Kurtit ajo nuk paraqet akt të dorëheqjes, përmbajtja tregon se letra tregon se mund të ushtroj detyrën e kryeministrit. Udhëheqja shkon tek zëvendëskryeministri në detyrë. Letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë dhe të mos krijojë polemika. Letra duhet të drejtohet te kryesuesi i kryeparlamentarit”, tha Jakaj.

Ndërsa, Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se qeveritarët një ditë para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nuk i kanë dorëzuar dorëheqjet formale.

“IKD në vazhdimësi ka theksuar paqartësitë rreth çështjes së dorëheqjes dhe është shkaktuar nga mosrregullimi i ligjit. Neni kur deputeti e fiton mandatin është bartur në Ligjin për Qeveri, është bërë e paqartë. Ky nen ka dështuar që të formojë ligje të qarta. Anëtarët e qeverisë duhet të japin dorëheqje në atë moment që certifikohen zgjedhjet dhe duhet të reflektojnë. Bllokimi i kuvendit nuk është alternativë”, tha Kolshi.

 

Dehari fton për konsulta përfaqësuesit e partive para nisjes së seancës

1 v. më parë / 19 pri 2025 10:58 Nga: Marigona Brahimi
Avni Dehari

Photo: Driton Paçarada

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ për në orën 11:30, për t’u dakorduar paraprakisht se si të shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit, kanë thënë burimet për KOHËN.

Dehari kishte vepruar ngjashëm edhe të enjten. Vetëm se ai ftoi përfaqësuesit e partive në takim pasi nisi seanca.

Edhe pse morën pjesë, opozita ka thënë se kryesuesi nuk e ka mandatin të mbledhë partitë.

Nuk dihen nëse partitë opozitare do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së sotme.

Sot për herë të tretë do të synohet konstituimi i Kuvendit pas dështimeve të martën dhe të enjten.