Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Seanca konstituive

Haxhiu dështon të bëhet kryeparlamentare, seanca vazhdon të hënën

Kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Pas dy dështimeve, sot (e shtunë) po bëhet përpjekja e tretë për të konstituuar legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Në përpjekjen e tretë ka kaluar raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve, por Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar dy herë që ta zgjedhë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Pas dështimit të dytë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën duke e shtyrë për të hënën. Ndiqni të gjitha zhvillimet e sotme këtu

LIVE:

LDK: VV-ja s’i ka numrat, s’mund të fshihet pas akrobacive procedurale

1 v. më parë / 19 pri 2025 19:56
ldk

Photo: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se dështimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryeparlamentarin të shtunën në dy tentativa, tregon se kjo parti nuk e ka shumicën në Kuvend. Duke komentuar seancën në të cilën ku miratua raporti për verifikim mandatesh të deputetëve, por dështoi hapi për zgjedhjen e kryeparlamentarit, LDK-ja ka thënë se VV-ja s’mund të fshehë mungesën e numrave “pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”.

Në deklaratën për media, LDK-ja ka dhënë pozicionin për 6 pika.

Sipas saj, komisioni për verifikim të mandateve i hapi rrugë konstituimit pas “pranimit të dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë”.

Pozicion i dytë i LDK-së është që “të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar”.

LDK-ja ka paralajmëruar po ashtu veprime ligjore ndaj zyrtarëve qeveritarë që edhe pse të certifikuar si deputetë kanë marrë vendime ekzekutive nga 27 marsi e këndej.

Kjo parti ka thënë se VV-ja ka bërë përpjekje përmes presioneve e kalkulimeve të dyshimta që të ndikojë mbi vullnetin e deputetëve.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, sipas LDK-së realiteti është se “Vetëvendosje nuk i ka numrat”. “Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare”, thuhet në reagim të LDK-së.

Në pikë të pestë, LDK-ja ka thënë se çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa u bërë 61 vota minimale, “përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare”.

Në pikë të fundit, LDK-ja ka thënë se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional e legjitimitet të plotë politik.

“Ne nuk do të lejojmë që Republika e Kosovës të bllokohet për interesa të ngushta partiake. Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në dy tentativa për të emëruar Albulena Haxhiun kryeparlamentare, pro votuan 57 deputetë. Shumica e thjeshtë bëhet me 61 vota.

 

Haxhiu: Do të jem sërish e propozuar për kryeparlamentare

1 v. më parë / 19 pri 2025 18:01 Nga: Kosova Press
Albulena Haxhiu

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se do të jetë sërish emri i propozuar nga subjekti i saj për pozitën e kryetares së Kuvendit pavarësisht dy tentimeve të dështuara në seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë, për shkak të mungesës së votave të nevojshme.

Ajo ka fajësuar partitë opozitare për bllokim institucional duke mos votuar kryetarin dhe nënkryetarët. Sipas Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë përsëri të njëjtin emër në seancën e së hënës.

“Së pari, më lejoni të falënderoj 57 deputetë që më mbështetën që të jem kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, natyrisht duhen edhe 4 vota…Pra, nga të gjithë deputetët e Kuvendit, 61 duhet të jenë për. Siç e kuptuat, seanca u pezullua, brenda 48 orëve u thirr seanca e radhës, Kuvendi nuk mund konstituohet pa u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe gjithë nënkryetarët. Ne ishim të gatshëm të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, por duket se opozita po e mban të bllokuar Kuvendin, sepse nuk e mbështeten propozimin e VV-së. Prandaj, i përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë. Faleminderit”, ka thënë ajo.

Albulena Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme në dy tentativat e sotme për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar për ditën e hënë nga ora 15:00.

PDK: Jemi të gatshëm të formojmë qeveri me kryeministër Bedri Hamzën

1 v. më parë / 19 pri 2025 16:43
PDK

Partia Demokratike e Kosovës në një deklaratë pas betimit të deputetëve dhe dështimit që Albulena Haxhiu të zgjidhet kryeparlamentare, ka thënë sërish se është e gatshme që të marrë përgjegjësi për të formuar qeveri të re, edhe pse ka dalë e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar. E përkushtuar ndaj demokracisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit, PDK mbetet e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me Kryeministër Bedri Hamzën, dhe me objektiva të qarta për të kthyer shtetin në binarët e duhur të zhvillimit dhe integrimit – në rast se mandatari i parë dështon në sigurimin e shumicës parlamentare, siç u dëshmua qartazi edhe sot”, thuhet në një deklaratë të publikuar në Facebook nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kjo parti ka njoftuar se ia njeh të drejtën partisë së parë që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Megjithatë, PDK-ja ka thënë se përgjegjësia e parë i takon Vetëvendosjes për themelimin e institucioneve, por sipas saj, përgjegjësia s’është e përhershme te VV-ja.

“Ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur. Përgjegjësia e parë, por jo e përhershme, bie mbi koalicionin VV-Guxo-Alternativa, i cili duhet ta trajtojë këtë moment me seriozitetin që kërkon situata politike dhe nevoja e vendit për stabilitet”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sa i përket votimit të raportit të Komisionit Verifikues për kuorum dhe mandate, pas dy dështimeve, PDK-ja ka thënë se me votën pro ka kontribuuar “në tejkalimin e një ngërçi të panevojshëm parlamentar”.

Sipas kësaj partie, komisioni e ka pranuar kërkesën për të përfshirë në procesverbal dorëheqjet individuale të kryeministrit dhe ministrave.

 

Limaj: Shumë shpejt do të konstituohen Kuvendi dhe Qeveria

1 v. më parë / 19 pri 2025 15:23
Limaj

Fatmir Limaj abstenoi për kryeparlamentaren, i jep shpresë Vetëvendosjes...

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se shumë shpejt do të konstituohen Kuvendi dhe Qeveria.

“Kosova tani ka Parlament dhe deputetë dhe ata do të gjejnë rrugë për hapa të tjerë”, tha ai.

“Shumë shpejt edhe këto pjesë tjera do të përfundojnë dhe sipas ligjit dhe Kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria”, shtoi Limaj.

Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pse tre votat e Nismës ishin abstenim për propozimin e LVV-së për postin e kryetares së Kuvendit.

VIDEO: 

KDI: VV-ja duhet të bëjë diskutime e kompromise politike për kryeparlamentarin

1 v. më parë / 19 pri 2025 15:21
Kuvendi i Kosovës

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se përgjegjësia kryesore për të mbyllur me sukses seancën konstituive i takon Lëvizjes Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në një komunikatë për media, KDI-ja ka thënë se VV-ja e ka detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë kompromise politike – për të siguruar shumicën e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Në përpjekjen e tretë për të konstituuar Kuvendin, deputetët miratuan raportin për verifikim mandatesh dhe bënë betimin. Por në dy tentativa, Albulena Haxhiu e VV-së mori vetëm 57 vota në votimin për t’u bërë kryeparlamentare. Pas kësaj, kryesuesi Avni Dehari shtyu seancën për të hënën.

“KDI bën thirrje që të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike, të kontribuojnë në mbylljen me sukses të kësaj seance konstituive. Por, theksojmë që përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin më të madh në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë diskutime dhe kompromise politik – për të siguruar një shumicë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagim të KDI-së.

Sipas KDI-së, zvarritja e mëtejme e procesit dëmton funksionimin e institucioneve, por rrezikon të thellojë edhe më tej krizën politike dhe institucionale.

Ndërkaq votimin e raportit për verifikim të mandateve, KDI-ja e ka vlerësuar hap të rëndësishëm. Por ka thënë se zgjidhja është e diskutueshme politikisht, por e paqartë juridikisht.

“Edhe pse raporti nuk përfshin dorëheqjet formale, në procesverbal janë përfshirë deklarimet verbale të Kryeministrit dhe ministrave në detyrë, të cilat u përdorën si bazë për tejkalimin e situatës – një zgjidhje kjo e diskutueshme politikisht por e paqartë juridikisht”, thuhet në komunikatë.

Ndërpritet seanca, shtyhet për të hënën

1 v. më parë / 19 pri 2025 15:07
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën pas dështimi të dytë që Albulena Haxhiu të zgjidhet kryeparlamentare.

Ai ka njoftuar se seanca është shtyrë për të hënën.

Haxhiu dështon për herë të dytë që të zgjidhet kryeparlamentare

1 v. më parë / 19 pri 2025 15:04
Albulena Haxhiu

Ka dështuar për herë të dytë votimi i propozimit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Në votimin e dytë, Haxhiu mori prapë 57 vota, 19 kundër e tri abstenime.

VV-ja propozon sërish Haxhiun për kryeparlamentare

1 v. më parë / 19 pri 2025 15:02
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar sërish emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Peci i bën thirrje opozitës ta votojë kryeparlamentarin: S’ka zgjidhje tjetër

1 v. më parë / 19 pri 2025 14:39
Faton Peci

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka kërkuar nga partitë opozitare që të mos e vonojnë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se kjo e drejtë i takon ekskluzivisht grupit më të madh parlamentar – Lëvizjes Vetëvendosje.

“Jemi në një momentum të ri. E drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. I bëj thirrje opozitës që të mos e vonojnë këtë pikë pasi kryetari i Kuvendit i takon ekskluzivisht VV-së”, ka thënë Peci.

Ai shtoi se është menduar që opozita tashmë e ka tejkaluar “xhelozinë për humbjen e zgjedhjeve”, por pavarësisht kësaj, topi është në fushën e tyre.

“Sido që të jetë, është në dorën e tyre ta aprovojnë propozimin e VV-së për kryetar të Kuvendit. Në të kundërt, nuk ka opsion tjetër”, përfundoi ai.

Përpjekja e parë e VV-së për zgjedhjen e kryeparlamentarit dështoi. Albulena Haxhiu mori 57 nga 61 vota sa duhej.

LDK-ja kallëzim penal ndaj qeveritarëve që ushtruan mandatin nga 27 marsi

1 v. më parë / 19 pri 2025 14:33
ldk

Photo: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës do të bëjë kallëzim penal ndaj Albin Kurtit si kryeministër në detyrë dhe deputetëve të Vetëvendosjes që kanë ushtruar pozita të ministrave, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Kjo, siç ka thënë ajo, për shkak se ata kanë ushtruar mandatin për një periudhë që nuk është e lejuar.

Bajrami ka thënë se në vazhdim do t’i shqyrtojnë mundësitë për në Gjykatë Kushtetuese.

“Komisioni për verifikim i ka njohur si faktike dorëheqjet deklarative të kryeministrit dhe ministrave, që nënkupton nga 27 marsi kur është bë certifikimi i zgjedhjeve të gjithë kanë bë shkelje duke ushtruar funksionin e kryeministrit, ministrave. LDK-ja do të bëjë kallëzim penal  lidhur me ushtrimin e mandatit që këta e kanë bë nga 27 marsi deri sot. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim. Fillimisht do bëjmë kallëzim penal e më pas do shohim hapat për në Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se LDK-ja nuk ka votë për kandidatët që i propozon LVV-ja për kryeparlamentar. 

Krasniqi: E pamë pse ka ndodhur bllokada, VV-ja nuk i ka numrat

1 v. më parë / 19 pri 2025 14:27
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se dështimi për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare e dëshmoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka krijuar bllokadën këto ditë pasi nuk i ka numrat.

“Krejt bllokada që ka ndodh këto ditë ka ndodhur për faktin që e pamë: këta nuk kanë numra, i kanë pas 52 vota, tash i kanë 57 e nuk do t’i bëjnë 61”, ka thënë Krasniqi.

Propozimi i VV-së për ta zgjedhur Haxhiun si kryeparlamentare mori 57 vota. Duhen 61.

Dështon zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare

1 v. më parë / 19 pri 2025 14:20
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar zgjedhja e kandidates së Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

57 deputetë votuan për, 20 kundër e 3 abstenime ishin për kandidaten për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas këtij dështimi, kryesuesi ka çuar Kuvendin në pauzë.

Miratohet raporti i verifikimit të mandateve dhe betohen deputetët

1 v. më parë / 19 pri 2025 14:11
kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Me 119 vota pro është miratuar raporti i Komisionit të verifikimit të mandateve dhe kuorumit.

Më pas u bë betimi i deputetëve.

Tash në rend dite është propozimi për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Haradinaj: Nëse VV-ja propozon për kryeparlamentare Bogujevcin ose Selimin, AAK-ja e voton

1 v. më parë / 19 pri 2025 14:04
haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse kandidatë nga Vetëvendosja për kryetarë të Kuvendit propozohen Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, AAK-ja do t’i votojë.

Ka theksuar se opozita është dakorduar për votim të raportin për verifikim të mandateve.

“Ka dakordim të opozitës të votohet raporti dhe me kalu në dhënien e betimit dhe kryetari. Personalisht nëse do ishin kandidatë për kryetarë këta në VV, Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, i votoj edhe AAK-ja i voton”, ka thënë Haradinaj para mediave.  

VV: Opsioni i zgjedhjeve bëri që opozita të ndërrojë mendje

1 v. më parë / 19 pri 2025 13:58
vv

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se përmendja e opsionit të zgjedhjeve ka bërë që opozita të ndërrojë mendje dhe të jetë e gatshme ta votojë raportin e verifikimit të mandateve. Megjithatë, opsionin e zgjedhjeve i pari e kishte përmendur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte thënë se 15 qershori do të ishte data ideale nëse nuk dilet nga ngërçi.

“Opozita ka dëshmuar se kauza tyre nuk ka qenë e drejtë. Duket se opsioni i zgjedhjeve ka bërë opozitën ta ndërrojë mendjen. S’ka ndodh diçka ndryshe se ajo më 15 prill”, ka thënë Kërçeli.

Kryetari i PDK-së më herët ka thënë se është hapur rruga për votimin e raportit pasi kryeministri dhe ministrat kanë dorëzuar dorëheqjet individuale, siç ka kërkuar opozita. Megjithatë, kjo po mohohet nga VV-ja.

Krasniqi: Me dorëheqjet individuale të kryeministrit dhe ministrave, u hap rruga për votim të raportit

1 v. më parë / 19 pri 2025 13:27
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje individuale, ashtu siç kishte kërkuar opozita dhe kjo sipas tij i ka hapur rrugë votimit të raportit për verifikimin e mandateve.

“Dorëheqja është evidentuar saktësisht siç kemi thënë ne, pra individualisht, në procesverbalin e takimit. Kjo na ka krijuar mundësi që të procedojmë përpara dhe ta votojmë raportin”, ka thënë Krasniqi.

Tani deputetët pritet të mblidhen unanimisht ta votojnë raportin e më pas të bëhet betimi i tyre.

Nis puna për përpilimin e raportit të ri për verifikimin e mandateve

1 v. më parë / 19 pri 2025 13:18
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e Kuvendit votuan me 120 vota pro që të nisë përpilimi i raportit të ri për verifikimin e mandateve nga Komisioni i njëjtë.

Përfaqësuesit e partive janë mbledhur në një sallë të Kuvendit dhe për 30 minuta do të përpilojnë raportin.

Partitë kanë rënë dakord ta votojnë unanimisht raportin.

Haxhiu: Kemi rënë dakord me të gjitha partitë për votimin e raportit të verifikimit të mandateve

1 v. më parë / 19 pri 2025 12:27
Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në takimin konsultativ të sotëm është rënë dakord me të gjitha partitë që të votohet unanimisht raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve.

“Deputetët e kanë obligim të votojnë për verifikimin e mandateve të tyre. Ramë dakord se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është të votojmë unanimisht”, ka thënë Haxhiu.

E Mimoza Kusari-Lila ka shpjeguar se si do të shkojë seanca. Pritet që fillimisht të votohet për t’i dhënë autorizim të njëjtit Komision ta bëjë edhe një raport për verifikim të mandateve.

Haradinaj i gatshëm ta votojë raportin për verifikimin e mandateve

1 v. më parë / 19 pri 2025 12:21
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i gatshëm ta votojë raportin e ri për verifikimin e mandateve.

Ai ka thënë se nuk ka arsye që Kuvendi të mbetet i bllokuar në këtë pikë.

“Jam për me votu, nëse arrihet unitet brenda deputetëve, brenda opozitës, unë jam për votu. Nuk ka arsye me mbet e bllokume dhe e me u vonu prapë. Qëllimi i opozitës është mos me pengu ecjen përpara të konstituimit të seancës. Për detaje mos të bëhem zëdhënës i krejt opozitës, por po besoj që do të mbështesim ecjen përpara”, ka thënë Haradinaj.

Time Kadrijaj nga AAK-ja ka thënë se në takimin konsultativ është rënë dakord të formohet Komisioni i ri për verifikimin e mandateve.

Pritet të formohet Komisioni i ri për verifikimin e mandateve

1 v. më parë / 19 pri 2025 12:10
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Një komision i ri për verifikimin e mandateve të deputetëve do të formohet, ka thënë Time Kadrijaj e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimit konsultativ të përfaqësuesve të partive me kryesuesin e seancës, Avni Dehari.

Komisioni do ta përpilojë edhe raportin e tij që më pas duhet të miratohet në seancën konstituive të Kuvendit. 

Në takim morën pjesë: Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sala Jashari dhe Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Dy seanca radhazi patën dështuar për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.