Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sot nis diskutimi në Këshill të BE-së për liberalizimin, s’pritet vendim

Sot, e enjte, gjatë ditës do të mblidhet një grup punues në Bashkimin Evropian për ta diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Edhe pse s’pritet që një vendim të merret sot, korrespodenti i Grupit KOHA në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë të mërkurën se procesi mund të përfundojë deri në fund të vitit.

Në Këshill do të nisë diskutimi për të parë se a ka mbështetje nga shtetet anëtare dhe se a mund të lëvizet përpara. Në rastin e Kosovës konsiderohet se ka vullnet politik, por askush s’ka përmendur data.

Në versionin më optimist, Palokaj ka thënë që procedurat duhet të mbyllen në Këshill, e pastaj me vendim të autoriteteve të BE-së, procesi të përmbyllet në fund të këtij viti.

Ditë më parë, vendeve anëtare të BE-së iu dërgua një “non-paper” edhe nga Komisioni Evropian për të përsëritur qëndrimin se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim qysh në vitin 2018.

Kjo do të jetë kjo hera e parë që Këshilli i BE-së zyrtarisht diskuton për liberalizimin e vizave për Kosovën që kur në vitin 2016 për herë të parë ishte dhënë mendimi pozitiv, por i kushtëzuar i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës. Më vonë në vitin 2018 përfundimisht Komisioni kishte konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve qytetarët e së cilave nuk kanë nevojë për t’ pajisur me viza për udhëtime në vendet e BE-së dhe vendet që nuk kanë anëtare të saj por janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë të Schengenit, si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Edhe Palokaj: Procesi i liberalizimit mund të përfundojë sivjet Arbëri Palokaj: Procesi i liberalizimit mund të përfundojë sivjet

Takimi i grupit punues për vizat në Këshill do të jetë rasti i parë për të testuar mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave. Nëse dëshmohet mbështetja, atëherë do të vazhdohet me procesin në të cilin përsëri do të përfshihen edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni.

Diplomatët e BE-së në Bruksel pohojnë se ekziston një vullnet i mirë nga vendet anëtare, nuk dëgjohen më zëra kundër liberalizimit të vizave, por nuk duan të përmendin ndonjë afat formal se kur do të mund të miratohej vendimi dhe kur do të hynte ai në fuqi. Vendosjen e kësaj teme në rend dite në Këshill diplomatët në BE e patën quajtur si “fillim i fundit të procesit” për të cilin pranojnë se ka zgjatur tepër shumë.