Më 13 tetor do të testohet mbështetja potenciale e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidenca çeke e BE-së ka konfirmuar se në këtë datë çështja e liberalizimit do të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së. Formalisht procedurat mund të përmbyllen brenda vitit të Presidencës Çeke, por diplomatë të BE-së nuk dhanë një datë se kur do të finalizohet vendimi. Megjithëkëtë, në Bruksel thanë se ekziston një vullnet i mirë nga vendet anëtare dhe se nuk dëgjohen më zëra kundër liberalizimit të vizave për Kosovën
Pas paralajmërimeve jozyrtare, edhe formalisht është konfirmuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian më 13 tetor. E ka konfirmuar këtë Presidenca Çeke e BE-së duke bërë publik rendin e ditës për takimin e këtij grupi punues.
Do të jetë hera e parë që Këshilli i BE-së formalisht diskuton për liberalizimin e vizave për Kosovën, qëkur më 2016 për herë të parë ishte dhënë mendimi pozitiv, por i kushtëzuar i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.
Më vonë, në vitin 2018 përfundimisht Komisioni Evropian kishte konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve, qytetarët e së cilës s’kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e BE-së dhe vendet e tjera të zonës Schengen që s’janë në BE.
Takimi i ardhshëm do të jetë rasti i parë për të testuar nëse ekziston apo jo mbështetja e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave. Nëse dëshmohet mbështetja, do të vazhdohet në procesin në të cilin përsëri do të përfshihen edhe Parlamenti Evropian edhe Komisioni Evropian.
Formalisht procedurat mund të përmbyllen deri në përfundim të vitit, pra para përfundimit të Presidencës çeke të BE-së.
Diplomatët e BE-së në Bruksel pohojnë se ekziston një vullnet i mirë nga vendet anëtare, s’dëgjohen më zëra kundër liberalizimit të vizave, por s’duan të përmendin afat kohor se kur mund të miratohet vendimi e kur mund të hyjë ai në fuqi.
Vendosjen e kësaj teme në rend dite në Këshillin e BE-së diplomatët e quajnë si “fillim i fundit” të procesit për të cilin e pranojnë se ka zgjatur tepër shumë.
Liberalizimi i vizave shihet si rast përmes të cilit, BE-ja do ta forcojë kredibilitetin e saj në rajon e të kthejë besimin edhe te qytetarët e Kosovës.
Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian tash e katër vjet vazhdimisht kanë përsëritur mbështetjen formale për liberalizimin e vizave dhe kanë kërkuar që ky liberalizim të ndodhë sa më shpejt.