(Tekst i përditësuar) - Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se të enjten do të mbahet seancë në Kuvendin e Kosovës.
Ka deklaruar se përveç pikave të zakonshme të rendit të ditës, do të bëhet edhe përzgjedhja e dy anëtarëve të bordit të BQK-së dhe poashtu formimi i Komisionit për bordin e RTK-së.
Ajo ka thënë se bashkë me grupet tjera parlamentare janë pajtuar që të përfshihet edhe në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
“S’ka asnjë dyshim që është më interes vital që të kemi një harmonizim të të gjitha institucioneve”, ka thënë ajo.
Duke folur për gjykimin e katërshes se UÇK-së dhe fazën e Apelit ajo ka thënë se nevojitet më shumë se asnjëherë koordinim.
“Ne kemi shprehur rezervat tona në adresimin e kësaj çështjeje në projektligj... gjithsesi ne kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se kjo është rruga e duhur”, ka shtuar ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se agjenda e Kuvendit përfshin një grumbull të ligjeve të cilat janë mbledhur, duke theksuar se këtë vit parashihet të kalojnë 60.
“Ne mendojmë që është një problem thelbësor që duhet të adresohet”, ka thënë ai.
Lidhur me Ligjin për Specialen, ai ka thënë se kjo është detyrë primare e Kuvendit, pasi sipas tij është miratuar një deklaratë lidhur me këtë çështje.
“Kuvendi ka miratuar një ligj. Ne zotohemi që do të bëjmë gjithçka që është e mundur për katër çlirimtarët në Hagë”, ka thënë ai.
Çitaku për reagimin e ndërkombëtarëve lidhur me Ligjin e Speciales: Normale të kemi mospajtime
Shefja e Grupit Parlamentar të PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se me grupet tjera parlamentare kanë pasur një diskutim përmbajtjesor për agjendën parlamentare për këtë legjislaturë.
Lidhur me reagimin e spektrit ndërkombëtar për Ligjin për Specialen, ai ka thënë se është normale që me aleatët të kenë mospajtime.
“Është shumë normale që me aleatë, me partnerë, të kemi mospajtime. Është shumë e rëndësishme të diskutojmë...”, ka thënë ajo. “Një ndër pikat që diskutuam sot është edhe agjenda e diplomacisë parlamentare... Dy gjëra janë të rëndësisë së veçantë: procesi i Apelit në Hagë dhe Këshilli i Evropës”.
Sipas saj, Kosova me ligj dhe me vullnet kërkon drejtësi.
Ka shtuar se nuk kërkojnë t’i ikin drejtësi, por sipas saj, kërkojnë që procesin e devijuar ta kthejnë në binarë.
“Agjenda legjislative si e tillë është një pjesë e angazhimit tonë”, ka thënë ajo.