I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar takime dhe diskutime të rëndësishme për hapat e mëtejshëm në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Sorensen është shprehur i kënaqur që është rikthyer në Kosovë, duke theksuar se bisedimet janë fokusuar në sigurimin e rezultateve konkrete për qytetarët në vitin 2026.
“Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës”, ka shkruar Sorensen.
Ai ka theksuar se angazhimi i vazhdueshëm i të gjitha palëve mbetet thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Pas takimeve një ditë më parë me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Sorenseni para mediave ka thënë se synon që në vitin 2026 të angazhohen më shumë për dialogun dhe të organizojnë takime të nivelit të lartë.
Edhe
Sorensen për vizitën në Kosovës e Serbi: Pashë përkushtim për normalizim e marrëdhënie të mira fqinjësore
E në një komunikatë për takimin me Sorensenin, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Kurti i ka përsëritur kushtin që për takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq paraprakisht të dorëzohet udhëheqësi i grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë, Milan Radojçiq.
Sorenseni gjithashtu takoi edhe liderët e opozitës.