Peter Sorensen, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pas takimeve me liderët e Kosovës të mërkurën, ka thënë se shpreson që sivjet të ringjallet dialogu që në vitin e shkuar mungoi. Në Prishtinë ai takoi kryeministrin në detyrë, presidenten dhe liderë të opozitës, duke theksuar nevojën për formimi të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve e rikthim të palëve në dialog.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë Albin Kurti, që në zgjedhjet e 28 dhjetorit fitoi më shumë se gjysmën e votave dhe që pritet ta udhëheqë vendin me qeveri të re, sipas një komunikate për media, tek ka folur për rikthimin e dialogut ka theksuar ato që i më herët i kishte paraqitur si kushte. Ai ka thënë se janë të rëndësisë thelbësore tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiqi e nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE Presidenca ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ia ka kujtuar Sorensenit shkeljet e vazhdueshme që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve të dialogut. Ajo po ashtu ka thënë se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin.
Liderët e opozitës ndërkaq kanë thënë se kanë folur për konstituimin e institucioneve të reja dhe për stabilitet institucional.
Sorensen: Uroj që viti 2026 të na japë atë që nuk na e dha viti i shkuar
Peter Sorensen, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se uron që më 2026 Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë për të diskutuar në procesin e dialogut, dhe që të mos ndodhë sikur një vit më parë kur nuk pati asnjë takim fare.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani, Sorensen në një deklaratë për media ka thënë se pret konstituim të shpejtë të Kuvendit e formim të Qeverisë së re.
“Urime Viti i Ri të gjithëve. Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, udhëtimin e parë të vitit. Pos Vitit të Ri, ju uroj edhe për zgjedhjet që vetëm sa i keni mbajtur. Po shikojmë para që të krijohet Parlamenti e të themelohet qeveria. Por, sigurisht siç ka qenë rasti me vitin 2025, ne punojmë për çështjet e dialogut që i kemi para nesh. Personalisht kam shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri. Dhe për këtë arsye e nisa vitin me udhëtim pune këtu e në Beograd pak më vonë. Siç e shihni po vonohem", tha Sorensen.
Sorensen ka thënë se qëllimi i tij është që t’i bindë palët të ulen e të bisedojnë dhe të gjejnë dakordim për çështje të caktuara.
Sorensen ka kujtuar që vitin e shkuar Kosovën dhe Serbinë i ka vizituar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, dhe se ajo ka theksuar që do të ketë takim kur të jetë koha e duhur.
“Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota me rolin e lehtësuesit të dialogut. Të sigurohemi që palët të ulen e të flasin. Duhet të gjejmë mënyrë që të bëjmë këtë. Përfaqësuesja e lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Aty kemi pasur zotime se do të ketë takim kur të jetë koha e përshtatshme. Ajo do të thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë e më pas do të shohim si të ecet përpara”.
Kushtet e Kurtit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme.
Kurti ka pritur të mërkurën në mëngjes në takim emisarin e BE-së, Sorensen. Ai ia ka shprehur Sorensenit gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënies me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, por ka treguar edhe gjërat që janë me rëndësi thelbësore, përfshirë edhe dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoi[iq, që akuzohet se ishte udhëheqës i sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Osmani-Sorensenit: Serbia vazhdimisht ka shkelur marrëveshjet

E pas takimit të Sorensenit me presidenten Vjosa Osmani me njoftim ka dalë edhe Presidenca e Kosovës. Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situatën e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian dhe të ardhmen e dialogut me Serbinë.
Në takim, Osmani ka thënë që dialogu duhet të përqendrohet në njohje reciproke dhe se suksesi i tij varet nga trajtimi i barabartë i palëve. Osmani ka kujtuar se Serbia vazhdimisht ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, teksa ka theksuar këtu edhe sulmin terrorist në Banjskë.
“Ajo potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Osmani ka thënë që dialogut duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian “duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”.
Sipas njoftimit, presidentja e ka njoftuar Sorensenin edhe për zgjedhjet demokratike dhe pjekurinë e shtetit.
Ajo ka përshëndetur heqjen e masave ndaj Kosovës, teksa ka thënë se edhe dhënia e statusit kandidat për BE është domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e BE-së.
“Presidentja Osmani vuri në pah përputhshmërinë e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, bilancin e dëshmuar demokratik dhe vrullin e reformave në vend. Presidentja theksoi se do të vazhdojë të punojë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës, pa vonesa të mëtejme”, thuhet në njoftim.
Sorenseni takon edhe opozitën

Peter Sorensen ka takuar edhe kryetarët e partive në opozitë.
Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se me Sorensenin kanë diskutuar për “nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian”.
Ndërkaq, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se kanë diskutuar për situatën në Kosovë dhe proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.

“Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partneriteti BE-SHBA është i rëndësishëm për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon.
“E njoftova z. Sørensen për qëndrimin e Aleancës për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet, si dhe për angazhimin tonë në rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka shkruar ai në Facebook.

Siç ka raportuar KOHA një ditë më parë, në BE besojnë se mund të ketë ringjallje të dialogut dhe se palët duhet ta kuptojnë dëmin që ua bëjnë vendeve të tyre në rast se nuk bëjnë përparim në procesin e normalizimit.