Emisari i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, ka qëndruar të mërkurën në Kosovë. Gjatë vizitës, ai ka takuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe liderët e partive opozitare. Sorensen ka shprehur pritjen për përparim në dialogun Kosovë - Serbi, por nuk ka treguar se si do t’ia bëjnë që bisedimet të zhvillohen nga niveli i lartë i të dyja shteteve
Uljen në një tavolinë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq, e synon Bashkimi Evropian. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit në Prishtinë të mërkurën, ka thënë se duhet të gjejnë një mënyrë që takimi i nivelit të lartë të ndodhë. Gjatë vizitës së tij, ai ka takuar kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani e liderët e partive opozitare
“Çfarë do të bëjmë është ajo që është kërkuar nga bota me ndërmjetësimin e dialogut, të sigurohemi që të dy palët të ulën dhe të flasin kështu që duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar dhe kemi pasur zotimin që do të jetë një takim kur të jetë koha e duhur. Ajo do ta thërras atë, njerëzit që do të vijnë dhe do të shohim”, ka thënë ai.
Rreth dy vite më parë, takimin me presidentin Vuçiq, kryeministri Kurti e patë kushtëzuar, mes tjerash edhe, me dorëzimin e udhëheqësit të grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë, Milan Radojciq. Por Sorensen nuk tregoi se si do ta trajtojnë atë dhe nëse do t`i kërkojnë Serbisë ekstradimin e tij në Kosovë. “Do të shohim”, shkurt tha ai kur u pyet për këtë çështje.
Sorensen paraprakisht tha që presin me padurim formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë e se gjatë këtij vitit do të angazhohen në çështjet e dialogut.
“Personalisht kam shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri. Dhe për këtë arsye e nisa vitin me udhëtim pune këtu e në Beograd pak më vonë”, ka thënë emisari i BE-së.
E sipas njoftimit nga Qeveria, dorëzimin e Radojçiqit e ka theksuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti në takim me emisarin Sorensen.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqesh nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara”, thuhet në njoftim.
Kurti, sipas njoftimit nga ekzekutivi, i ka thënë Sorensenit se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nga i cili partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, mori 51.11% të votave, garanton stabilitet institucional.
“Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog. Sa i përket palës tjetër në dialog, Kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Nga Bashkimi Evropian, presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar trajtim të barabartë të palëve në dialog. Sipas njoftimit nga Presidenca, të lëshuar pas takimit që Osmani ka pasur me Sorensenin, presidentja ka thënë se një gjë e tillë varet edhe suksesi i dialogut.
“Presidentja Osmnai potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Presidentja Osmani tha se ky proces duhet të ketë objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, thuhet në njoftim.
Pas krerëve të shtetit, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka takuar edhe liderët e partive opozitare në vend.
Sipas kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, me Peter Sorensenin është diskutuar nevoja e konstituimit të institucioneve të reja e rëndësia e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian.
“Sot e prita të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Ne diskutuam për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, stabilitetin institucional dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian. PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal”, ka shkruar Hamza.
E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në takim ka shprehur pritjen se BE-ja do të vazhdoj angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën.
“Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun ka thënë se do të kontriboj në formim të shpejtë të institucioneve të reja.
“Në takim çmova rolin e tij dhe të Bashkimit Evropian, duke theksuar po ashtu rëndësinë e partneritetit BE–SHBA për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon. E njoftova z. Sorensen për qëndrimin e Aleancës për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet, si dhe për angazhimin tonë në rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Haradinaj.
Pas Kosovës, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të qëndroj edhe në Serbi.