Regjisori dhe shkrimtari Agim Sopi, i ftuar në podcastin “PIKË” nga Veton Surroi, theksoi se si Kosova, ashtu edhe Shqipëria janë krijuar si projekte intelektuale nga elitat e kohës, të formuara kryesisht jashtë vendit.
“Shtetet shqiptare janë projeksione mendore, ideore dhe intelektuale të krijuara nga një elitë jashtëzakonisht e aftë, e shkolluar dhe jetuar në Perëndim”, ka thënë Sopi në fillim të bisedës, duke bërë paralele mes krijimit të Shqipërisë nga rilindësit dhe projektit të pavarësisë së Kosovës, të drejtuar nga figura si Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Gazmend Zajmi e të tjerë.
Ai kujtoi se projektet shtetformuese shqiptare u nisën me synimin për t’i dhënë popullit shqiptar një identitet evropian, përballë paragjykimeve që ekzistonin dhe ende ekzistojnë në Evropë për Ballkanin si “një kazan plehrash i mbeturinave otomane”.
“Ka qenë vështirë ta thyesh stereotipin se Ballkani është një vatër trazirash, por elitat shqiptare, me bindje dhe dijeni, kanë projektuar shtetin si një mënyrë për ta sjellë popullin në Europë – jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturorisht”, theksoi Sopi.
Në bisedë u përmendën edhe figurat qendrore të Rilindjes, si vëllezërit Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica e të tjerë, të cilët, sipas Sopit, përfaqësonin një elitë të nivelit evropian dhe botëror, që krijoi shtetin përmes mendimit dhe vizionit, dhe jo përmes forcës së armëve.
