Arbëri

Skenderi paralajmëron një “pako të dytë edhe më të ashpër” të sanksioneve ndaj Kosovës

Nagip Skenderi, profesor i makroekonomisë, ka paralajmëruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk do t’i dëgjojë kërkesat e ndërkombëtarëve, atëherë do të kenë një pako të dytë edhe më të ashpër të sanksioneve ndaj vendit.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për ulje të tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj e qershor. Edhe pse u arrit dakordim për hapat për shtensionim të situatës, deri tani, masat ndëshkuese vazhdojnë të jenë në fuqi, pavarësisht se pushteti në Kosovë ka bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e tyre.

“Nëse Qeveria s’i dëgjon kërkesat e SHBA-së dhe BE-së, pritet edhe pakoja e dytë edhe më e ashpër e sanksioneve. Dhe nga kjo nuk e pëson Qeveria, por popullin”, ka thënë Skenderi në “60 Minuta” të KTV-së.

Duke komentuar thirrjen e Odës Amerikane në Kosovës, e cila sot bëri thirrje që të hiqet masat kufizuese të importit nga Serbia, Skenderi ka thënë se Qeveria serbe po tregohet më e mençur sesa ajo e Kosovës në thithjen e investimeve amerikane. Për këtë, ai citoi raportin e Agjencisë së Statistikave në Serbi.

“Të dhënat e Odës Amerikane janë shqetësuese, pasi aty është interesi ekonomik amerikan më tepër. Në kohën e një ekonomie globale, duhet një ekonomi e lirë, e hapur. Sipas Agjencisë së Statistikave në Serbi, vetëm vitin e kaluar nga investimet e tërësishme amerikane, mbi 1 mld dollarë investime janë fituar nga kompanitë amerikane në Serbi. Në këtë kontekst, Serbia si element kthimi, ka fituar 30 mijë vende pune. SHBA-ja janë duke investuar në rajon, por duhet pranuar që e kanë gjetur Serbinë si një aleate të mundshme. Qeveria serbe në këtë kontekst ka qenë më e mençur sepse ka emëruar një zyrtar ndërlidhës në Departamentin e Shtetit. Nuk është e çuditshme që Oda Ekonomike Amerikane ka reaguar sepse ata sugjerojnë të kenë ekonomi globale, ekonomi të hapur para çështjeve politike”, ka thënë profesori ekonomik.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë që të fitojë nga investimet amerikane, dhe veçanërisht të ulë deficitin mes importit dhe eksportit, që siç thotë Skenderi, është rritur në mënyrë marramendëse.

“Për këtë, duhet një politikë e mirë simuluese për prodhuesin vendor”, ka shtuar ai.