Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Skenderi: Qeveria ka dëshmuar se s’di t’i menaxhojë krizat

Nagip Skenderi

Profesori i makroekonomisë, Nagip Skenderi, ka thënë se ekonomia e Kosovës po i vuan më tepër pasojat në raport me situatën me naftën sepse Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë në mbështetje të qytetarëve.

Skenderi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se Qeveria e ka dëshmuar që nuk menaxhon mirë krizat, duke filluar nga ajo me pandeminë. Sipas Skenderit, masa po ndërmarrin edhe shtetet e zhvilluara, andaj edhe çmimi i naftës atje është më i lirë aktualisht sesa në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Qeveria e Kosovës nuk po ndërhyn edhe për faktin që nuk menaxhon mirë krizën por edhe që po e mbushë arkën e shtetit. Qëllimi i saj është që kinse sa më shumë të rritet buxheti i shtetit aq më të pasur jemi por në anën tjetër po varfërohen qytetarët. Të gjitha këto po bien në kurriz të qytetarëve. Të ndërmerren masa në uljen e TVSH-së e akcizave ashtu siç kanë vepruar shtetet e tjera. Këto masa po ndërmerren në vendet më të zhvilluara. Në Spanjë e kemi shumë më lirë çmimin e naftës apo 1 euro e 45 cent. Janë ndërmarra masa edhe në Austri, Gjermani e të tjera”, ka thënë Skenderi.

Profesori Skenderi ka thënë gjithashtu se as vendosja e çmimit tavan të naftës nga ana e Qeverisë nuk jep ndonjë efekt pasi nuk kemi mjaftueshëm inspektorë për të monitoruar të gjitha pompat e benzinës nëse po e respektojnë.

Skenderi thotë se në Kosovë ka numër enorm të pompave të benzinës, e madje gati më shumë sesa Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bashkë.

“Monitorimi i çmimeve të naftës nuk e jep efektin e vet. Nuk kemi ne aq njerëz të punësuar në ATK ose në Inspektoratin e Tregut që t’i mbulojmë. Është një e dhënë faktike që Kosova ka më tepër pompa të benzinës sesa që kanë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pothuajse bashkë, aq kemi pompa të benzinës që është numër marramendës. Edhe po të angazhohej e gjithë administrata qendrore e ATK-së me ato komunale nuk do të mund të mbulonin të gjitha pompat e benzinës për t’i monitoruar nëse po e respektojnë çmimin e përcaktuar të naftës”, ka thënë Skenderi.

Sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës për të hënën në Kosovë është përcaktuar 1.84 euro për litër, i benzinës 1.44 euro për litër dhe i gazit 0.89 euro për litër. Çmimi i njëjtë ishte edhe një ditë më parë.

Në Kosovë çmimi i naftës nuk është ulur as kur ishte arritur armëpushimi mes SHBA-së e Iranit.

Nafta u shtrenjtua kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin, shtet që menjëherë mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shfrytëzohet si rrugë detare për 20 për qind të naftës në nivel botëror.