Deputetët e partive opozitare, LDK dhe AAK, e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës se po e vazhdon “moratoriumin” për të mos aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, megjithëse ai ka skaduar më 4 shtator 2021, sikur parashihej në Marrëveshjen e Washingtonit.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha për Ekonomia Online se ishin “kryqëzuar” nga Vetëvendosje kur kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Washingtonit dhe ishin pajtuar që të mos aplikonim për një vit. Bajrami thekson se ka stagnim në njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, madje duket që nuk ka as lobim.
“Mendojmë që ka stagnim. Konsiderojmë që janë çështje që duhet të merren seriozisht, krahas adresimit të gjitha çështjeve që i kemi në politikën vendore. Me Marrëveshjen e Washingtonit ka qenë ai viti ku ne jemi pajtuar që të mos aplikonim një vit në organizata ndërkombëtare. Gjatë asaj kohe jemi kryqëzuar pse kemi pranuar një pauzë të tillë. Mirëpo ka kohë që ajo ka përfunduar dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria nuk është në gjendje as të na thotë se në cilën organizatë kanë aplikuar dhe cili anëtarësim është duke ndodhur, ku janë duke lobuar dhe ku janë njohjet të cilat po i presim këta muaj”, tha Bajrami.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka folur për stagnim në dialogun me Serbinë. Sipas AAK-së, dialogu për çështjet teknike nuk duhet më të vazhdojë, por të rikthehet në tavolinë marrëveshja përfundimtare me Serbinë.
“E kemi bërë të qartë si grup parlamentar i AAK-së që do të ketë mbështetje për të mbrojtur sovranitetin, integritetin dhe territorin e Kosovës në kufijtë ekzistues. Asnjë marrëveshje tjetër ne nuk do të mbështesim. Dialogu është ende në fazën teknike dhe nuk ka kaluar në atë politike për një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Lekaj.
Marrëveshja e Washingtonit ishte nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm të ShBA-së, Donald Trump./EO
-
Kosova s’tregon nëse do ta zbatojë rekomandimin e SHBA-së për moratoriumin
-
Ekzekutivit i kërkohet të nisë lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare
-
Kërkohet që Kosova të lobojë për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare këtë vit
-
Hoti: Qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht Marrëveshjen e Washingtonit
-
PDK-ja dhe LDK-ja s`do të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të enjten dy seanca të Kuvendit