Institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos tregojnë se si do t’i qasen kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar me mosaplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Moratoriumi për një gjë të tillë ishte një nga zotimet e Marrëveshjes së Washingtonit, afati i së cilës ka skaduar në shtator. Në anën tjetër, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Kosova do të dështonte në rast se do të vepronte ndryshe nga rekomandimet e aleatëve ndërkombëtarë
Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur të heshtin karshi rekomandimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar me zbatimin e moratoriumit, afati i të cilit ka përfunduar muajin e kaluar. Sipas këtij moratoriumi të dalë nga Marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar, Kosova është pajtuar që për një vit të heqë dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, e Serbia nga fushata e saj për çnjohje.
Një ditë para se të bëhet një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, mes ish-kryeministrit Avdullah Hoti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e në praninë e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, zyrtarë nga Departamenti i Shtetit amerikan në një përgjigje me shkrim i kanë thënë KOHËS se inkurajojnë të dyja shtetet të vazhdojnë me moratoriumin.
Por, që nga e enjtja, në pyetjet për këtë çështje nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e as nga Zyra e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në anën tjetër, Ambasada e SHBA-së në Kosovë e ka arsyetuar kërkesën e saj me ndikimin që mosvazhdimi i moratoriumit ka në dialogun mes dy shteteve. Derisa është përmendur edhe marrëveshja e arritur për targat. Zëdhënësi i kësaj ambasade, Eric Brassil, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se “nevoja për normalizim të plotë nuk ka datë skadimi”.
“Zotimet e Washingtonit përshkruajnë hapat për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë normalizimin ekonomik. Shpresojmë që partnerët tanë do të respektojnë me mirëbesim angazhimet që kanë marrë në Washington vitin e kaluar”, ka thënë Brassil. “Ne gjithashtu inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të rrisin bashkëpunimin në fushat me interes të ndërsjellë, siç është rimëkëmbja nga pandemia dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Për të mbështetur suksesin e dialogut dhe përpjekjet e tjera, ne inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike”.
E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se çfarëdo veprimi pa përkrahjen e SHBA-së do të ishte i pasuksesshëm. Sipas tij, moratoriumi parasheh edhe moslobimin e Serbisë për çnjohje, andaj është “fitore e të dyja palëve”.
“Kosovën askush nuk e ndalon që të përgatitet, ta përgatisë strategjinë, terrenin që kur do SHBA-ja të jetë e gatshme të na ndihmojë ne të jem të gatshëm që t`i bëjmë detyrat e shtëpisë. Çfarëdo varianti që e provojmë ta bëjmë vetë mund të pësojmë në politikën e jashtme dhe nuk është mirë që të dëmtojmë shumë procese që munden në të ardhmen të na kushtojnë”, ka thënë Arifi, duke shtuar se një qasje e tillë mandej ndikon edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Siç ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, pas marrëveshjes së arritur me targat, niveli i bisedimeve duhet të ngrihet në një nivel tjetër.
Marrëveshja e Washingtonit, një nga zotimet e së cilës është moratoriumi, është nënshkruar në shtator të 2020-s në Shtëpinë e Bardhë. Kjo marrëveshje është kritikuar nga udhëheqja aktuale e ekzekutivit me arsyetimin se ajo është e dëmshme.
Edhe pasi ka ardhur në pushtet, kryeministri Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, është deklaruar i rezervuar karshi zbatimit të Marrëveshjes së Washingtonit. Pika e marrëveshjes për moslobim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sipas Kurtit, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.