Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje, LDK-ja fajëson Listën Serbe

Ka dështuar të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkak ka qenë mungesa e kuorumit në seancën e jashtëzakonshme, të paraparë për të mërkurën.

“Nuk ka kuorum për vazhdimin e kësaj seance”, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Për mosarritjen e shqyrtimit në seancë të këtij projektligji, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, akuzoi partnerin qeverisës, Listën Serbe, por edhe opozitën.

“Kërkoj që të gjithë deputetët të jenë të përgjegjshëm dhe të vijnë e t’i kryejnë detyrat e veta kushtetuese. Opozita dhe një pjesë e partnerëve të koalicionit po bëjnë sjellje obstruktive, të paarsyeshme dhe të palogjikshme. Nëse ata kanë vërejtje, mund të vijnë në Kuvend t’i deklarojnë vërejtjet e tyre të votojnë kundër ose të abstenojnë ne nuk po thojmë që ata duhet të votojnë për. Lista Serbe nuk po na vjen në seancë”, ka thënë Gashi.

Edhe ​Mungesa e kuorumit, pengesë për punën e Kuvendit të Kosovës Arbëri ​Mungesa e kuorumit, pengesë për punën e Kuvendit të Kosovës

Përveç Listës Serbe, në seancë kanë munguar edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo parti kishte bërë të ditur paraprakisht se e pezullon aktivitetin në Kuvend për një javë, në shenjë solidarizimi me katër të akuzuarit e fundit të Gjykatës Speciale.

Kësisoj edhe në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, për shkak të mungesës së deputetes së Listës Serbe dhe dy deputetëve të PDK-së, nuk arriti të votohej raporti me rekomandime i Projektligjit.

“Pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nuk ka kuorum të mjaftueshëm që të procedohet me këtë pikë të rendit të ditës”, ka thënë kryetari i Komisionit, Hekuran Murati.

Këto veprime i ka cilësuar si të papërgjegjshme kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi.

“Është shqetësuese që sot në kohën kur diskutonim si të gjenim një mes të artë që me u menaxhuar pandemia dhe me u ruajtur ekonomia, Parlamenti prapë bëri veprim të papërgjegjshëm duke mos e votuar ligjin për rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë ai.

Edhe Asnjë deputet në sallë, shtyhet seanca për shqyrtimin e dytë të Projektligjit të Rimëkëmbjes Arbëri Asnjë deputet në sallë, shtyhet seanca për shqyrtimin e dytë të Projektligjit të Rimëkëmbjes

Edhe pse nuk u miratua Projektligji për rimëkëmbjen e ekonomisë, Qeveria sot ka ndërmarrë një sërë masash që ua kufizojnë veprimtarinë bizneseve.

Përpos seancës rreth rimëkëmbjes, në mungesë kuorumi ka dështuar edhe seanca e dytë plenare, ku ishin paraparë të votoheshin një varg projektligjesh të mbetura nga seancat e kaluara.