Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka buxhet, rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve në Podujevë

Foto: Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KZQ) ka bërë të ditur të martën, se nuk është miratuar buxheti për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevë dhe si pasojë e kësaj, rrezikohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretaritit të KQZ-së, Yll Buleshkaj, gjatë mbledhjes të së martës, tha se nga Qeveria janë kërkuar 491 mijë euro për të dy raundet në këto zgjedhje, por Qeveria nuk e ka miratuar këtë buxhet deri më tash, bëri të ditur KSP-ja.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se mosndarja e buxhetit me kohë rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë. Sipas saj, KQZ-ja ka kryer të gjitha procedurat me rregull dhe me kohë. Daka shtoi se KQZ-ja nuk mban përgjegjësi në rast të dështimit të mbajtjes së zgjedhjeve.

Posti i kryetarit të Komunës së Podujevës ka mbetur vakant, pasi kryetari i deritashëm, Agim Veliu, është emëruar ministër në Qeverinë Kurti.

“Ne jemi 25 ditë larg nga dita e zgjedhjeve. Asnjëherë nuk na ka ndodhur që të mos kemi buxhet 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Siç e dini, tradicionalisht fletëvotimet asnjëherë nuk janë shtypur në Kosovës, por jashtë Kosovës për shkak se specifikat e tyre nuk mund t’i përmbush asnjë kompani në Kosovë”, ka thënë Daka.

Edhe Presidenti cakton 29 nëntorin ditë zgjedhjesh në Podujevë e Mitrovicë Veriore Video Presidenti cakton 29 nëntorin ditë zgjedhjesh në Podujevë e Mitrovicë Veriore

Ajo ka shprehur brengën se me çdo ditë të vonuar, mund të dështojë procesi, pasi procedurat e prokurimit kërkojnë afate ligjore, që nuk mund të tejkalohen.

“Nga dita e sotme ne si KQZ nuk mund ta bartim përgjegjësinë për çfarëdo lloj dështimi të afateve, ashtu siç u tha mund të na ndodhë që në ditën e zgjedhjeve të mos i kemi fletëvotimet dhe është mirë që publikisht të dihet se ne, kërkesën e kemi bërë me kohë”, u shpreh Daka.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha me këtë që po ndodh është i garantuar dështimi i zgjedhjeve në Podujevë. Sipas tij, të gjitha afatet ligjore po tejkalohen.

“Definitivisht me këtë trend, zgjedhje nuk do të ketë në Podujevë, ose mund të ketë zgjedhje duke i kaluar krejt ligjet, me i fotokopju fletëvotimet, por zgjedhje të rregullta në Podujevë sipas ligjit nuk mund të ketë”, tha Hamiti.

Edhe Ende nuk janë shpallur zgjedhjet për në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut Arbëri Ende nuk janë shpallur zgjedhjet për në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Edhe anëtarët e partive tjera politikë shprehen brengën se procesi mund të dështojë.

Afati i fundit për paraqitje të kandidatëve për zgjedhjet në Podujevë, ishte të hënën dhe këtë e shfrytëzuan tri parti politike: LDK-ja do të garojë me Nexhmi Rudarin, VV-ja me Shpejtim Bulliqin dhe PDK-ja me Naim Fetahun.