Telashe mund të këtë Ministria e Shëndetësisë nëse detyrohet që qendrat e kujdesit parësor shëndetësor t’i kthejë në qendra COVID për shërbime ditore ose për hospitalizim.
Kjo për shkak se nuk ka sistem oksigjenimi në pothuajse në asnjërën prej qendrave.
Idenë që qendrat e mjekësisë familjare mund të kthehen në qendra për trajtimin e COVID-19 nuk e ka përjashtuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por ka qenë i paqartë se si do ta sigurojnë oksigjenin për to.
“Në takimin që është mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë është bërë plan operativ e i kostuar për nivelin e KPSH-së që të rriten kapacitetet e trajtimit për kujdesin parësor shëndetësor, fillimisht për trajtim ambulantor që të marrin pacientët terapinë aty e jo në shtëpi, por nëse është nevoja të shtohen shtretërit për hospitalizim. Oksigjenimi do të bëhet me boca të oksigjenit dhe qysh e përmenda edhe në fillim në Kujdesin Parësor Shëndetësor ideja është që të trajtohen pacientët me simptoma të lehta...Të gjitha janë në planin operativ që do të bëhet publik”, la deklaruar Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.
QKUK-ja me spitalet rajonale kanë sistem të oksigjenimit qendror. Por tashmë të gjitha dhomat që kanë oksigjenim qendror janë të zëna me pacientë.
E hospitalizimi ka filluar edhe në dhomat e tjera.
SHSKUK- ja ka 1000 bombola oksigjeni. Një pjesë e tyre shërbejnë për mbështetje të sistemit qendror të oksigjenimit në rast se ndodh ndonjë defekt në sistem.
Artan Ahmeti, shef i Mjekësisë Sportive që po shërben si klinikë COVID- 19, ka treguar ndryshimet e varianteve të tjera me variantin Delta, si dhe për intensitetin më të madh të këtij varianti tek pacientët e hospitalizuar.
Ndërsa ka shpjeguar se si do të aplikohet oksigjenoterapia në bllokun e sapolëshuar në punë.
“Në aspektin e trajtimit të pacientëve është e njëjta, por në aspektin praktik është shumë ma e vështirë, sepse duhet të ndërrohen vazhdimisht bombolat, duhet staf shtesë- ata që thirren bocamena, kanë 24 orë punë tek pacientët që kërkojnë nevojë, sasi të madhe të oksigjenit”, ka thënë Artan Ahmeti, shef i Mjekësisë Sportive.
Aktualisht 1.259 pacientë me COVID-19 janë të hospitalizuar në kuadër të SHSKUK-së.
Si në asnjë valë tjetër, numri i pacientëve që kanë nevojë për oksigjenoterapi është shumë i madh. 1.060 janë me oksigjenoterapi, e 60 të tjerë janë në kujdesin intensiv.