Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka afat të nëntorit në “Kadri Zeka”, protestojnë studentët

Parlamenti Studentor i Universitetit “Kadri Zeka” ka organizuar sot protestë lidhur me afatin e provimeve për muajin nëntor.

Në njoftimin për media të kësaj organizate studentore, bëhet me dije se Senati i Universitetit nuk aprovoi kërkesën e studentëve për afatin e nëntorit të mbahet me 2 provime dhe të vlejë për kusht.

“Kjo u konsiderua shkelje nga ana e senatorëve, mirëpo studentët u revoltuan duke protestuar se kjo nuk është shkelja e vetme në Universitet, kjo është pak dhe nuk duan manovra në emër të cilësisë. Pankartat e shënuara tregojnë një formë revolucioni nga ana e studentëve sepse ishin të përfshirë së bashku, pa dallime dhe të organizuar në formën më të mirë të mundshme në kërkesat e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate studentore.

“Nga informatat prej studentëve kuptuam se ndjehen të injoruar nga Senatorët që do duhej të ishin pro studentëve. Konsideruan të turpshme injorimin e ftesës për ballafaqim me ta, andaj formën më të duhur e konsideruan protestën për të përçuar mesazhin në menaxhment. Disa nga pankartat ishin : Dije, jo manovra; Mendjen te akademia, kështu nuk rritet cilësia!; Gojën plotë cilësi, për ranglista kush mban përgjegjësi?!; Bursistat për Nëntor!; Cilësia s'matet me nëntor; Kanunin kanun, punën hiç kërkun!”, thuhet më tej në njoftim.

Parlamenti Studentor, në njoftimin për media thotë se nga komunikimet që kanë pasur, i kanë lutur për protesta të qeta.

“U kemi thënë se në asnjë rrethanë nuk lejojmë degradim të revoltës mirëpo tash e tre ditë që po përpiqemi të gjejmë zgjidhje, injorohemi! Ndoshta sepse ishim shumë të qetë! Të vendosur u zotuam se do jemi deri në fund për mbrojtje të Universitetit dhe shpirtit të tij – studentit”, thuhet në njoftimin për media të Parlamentit Studentor. “Nëntori është fillimi, Cilësia është Synimi!”, thuhet në fund.

Artikuj të ngjashëm