Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sivjet 38% lëndë narkotike më pak drejt Italisë

Në një konferencë të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane online, lidhur me rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit 2020, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka bërë me dije se gjatë vitit 2020 janë kryer 143,844 kontrolle në terren.

Ai tha se po ashtu janë përdorur 38 dronë nga 24 që janë përdorur në vitin 2019, teksa janë kryer 90 orë fluturimi me helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas Veliut, drejt Italisë është trafikuar 38% më pak lëndë narkotike drejt Italisë, më konkretisht në 2019 janë kapur 1447 kg 982 gr, ndërkohë që në 2020 janë kapur 911 kg e 500 gr. Këto shifra, Veliu tha se janë statistika që kanë mbërritur nga Policia italiane.

Ndërkohë, Veliu ka bërë me dije se janë proceduar 17 punonjës policie, teksa 3 janë përjashtuar. Gjithashtu, 72 punonjës janë ndëshkuar me masa disiplinore, 71 janë ndëshkuar më masa për shkelje të lehta disiplinore, 11 punonjës në nivel drejtues janë transferuar/TCH.