Kronikë

Në hartën e Shqipërisë 22 grupe kriminale dhe 950 persona të hetuar, dosja OFL në Itali

Çdo ditë me përjashtim të fundjavës, Policia sjell njoftime se kujt i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë brenda afatit prej 48 orësh dhe se për çfarë janë akuzuar, apo dënuar. Dhe kjo ka filluar nga muaji shkurt e deri tani, por sipas titullarëve të Ministrisë së Brendshme verifikimet kanë nisur shumë kohë më parë.

Zëvendësministri Julian Hodaj, teksa raportoi të shtunën në mbledhjen e Komisioneve të Punëve të Jashtme dhe Politikave të BE-së, në Dhomën e Deputetëve të Italisë e cilësoi strukturën e specializuar OFL të Policisë së Shtetit, si një sukses të padiskutueshëm, edhe pse një pjesë jo e vogël e kërkesave të saj për sekuestro janë rrëzuar nga prokuroria SPAK, si tejkalim të kompetencave.

Gjëja e parë që ka bërë kjo strukturë ishte një hartë e të gjitha grupeve kriminale, që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë territorit, duke evidentuar drejtuesit, anëtarët, financuesit, asetet, financat, pronat etj.

Në 3 vjet kanë rezultuar 1000 autorë të hetuar që bënin pjesë në rreth 22 grupe, prej të cilëve janë arrestuar 800. Për t’i dhënë një instrument më të fortë, prej këtij viti, Parlamenti, në bazë të nismës së qeverisë, aprovoi një akt normativ, i cili plotëson atë që ishte legjislacioni mbi të cilin vepronte kjo strukturë, pra ligjin Antimafia.

Në Shqipëri deri në 2020 një legjislacion i tillë ishte i kufizuar vetëm në aspektin e zotërimit të pasurisë. U përshtat dhe u modernizua në 2020 me futjen edhe të masave personale të parandalimit, si dhe të masave ekonomike.

Ligji parashikon masa të ashpra për ta nxjerrë jashtë aktivitetit kriminal një person të caktuar, duke hequr fuqinë financiare nga duart e grupeve kriminale, por, edhe duke frenuar futjen në aktivitet ekonomik të parave që janë siguruar nga të ardhura të paligjshme. Deri tani nga ky operacion janë evidentuar, ose më saktë dërguar formular për pasurinë për 950 persona të hetuar me kuadrin e ri ligjor, prej të cilëve 121 janë tashmë para gjykatës për prona e pajustifikuara.

Gjatë dorëzimit në Itali të dosjes me “krimin shqiptar” autoritetet kanë dhënë shpjegime edhe për drogën, duke e rivënë theksin se problematika e 20 viteve të fundit dhe ndihmën që ka dhënë Guardia Di Finanza. Kjo e fundit, përgjatë vitit 2018 dhe 2019 ka fluturuar në mbi një të katërtën e territorit të Shqipërisë, për të zbuluar parcelat me kanabis, ndërsa për këtë vit për shumë arsye, por mbi të gjitha pandemia nuk kanë kryer operacione nga ajri.

Vetë policia shqiptare pati disa ditë operacion me dronë, por nuk u dhanë asnjëherë të dhëna për territorin e kontrolluar dhe se çfarë rezultoi prej tyre.

Një prej shifrave që bëri përshtypje në raportimin e autoriteteve shqiptare ishte edhe droga e kapur në brigjet italiane. Në vitin 2017 sasia e drogës së kapur ishte 20 tonë, ndërsa në 2019 më pak se një ton/Shqip