Arbëri

Situatë e qetë në veri, Policia e Kosovës vazhdon patrullimin në "Lagjen e Boshnjakëve"

Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë edhe të premten në "Lagjen e Boshnjakëve" në veri. Forca të shtuara policore vërehen në zona ku ka banorë shqiptarë.

Në fotografitë e realizuara nga ekipi i KOHËS në veri, shihen pjesëtarët e Policisë duke patrulluar, derisa situata atje duket e qetë.

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se do ta rrisë praninë e pjesëtarëve të saj në veri, me qëllim të arritjes së objektivave të Policisë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se rritja e pranisë policore në veri të vendit, me qëllim të ofrimit të sigurisë, është vlerësuar e domosdoshme.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë.

Rritjen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri e ka paralajmëruar ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në reagimin e tij pas sulmeve në veri të Kosovës të martën, ku nuk janë lejuar zyrtarët e KQZ-së të kryejnë detyrën ka thënë se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri pasi po e dinë se po ju vjen fundi.

Zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor. Ndërkaq, zgjedhjet për kuvendet komunale në komunat Zveçan dhe Leposaviq do të mbahen më 25 dhjetor.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.

{gallery}