Blerina Ago është e përzgjedhur nga programi prestigjioz i Qeverisë së Zvicrës, Swiss Entrepreneurship Program, mes grave të reja inovatore dhe sipërmarrëse. Ajo është drejtore ekzekutive e fushatës digjitale ndërkombëtare “Be Taken by Albania”.
Blerina është alumni i “Young Transatlantic Innovation Leaders Initiative” të Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Është anëtare e Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Raftingut dhe anëtare e Bordit Këshillimor pranë “Adventure Travel Trade Association” (viti 2017). E pasionuar pas natyrës, në moshën 14-vjeçare Blerina bëhet vajza e parë që praktikon sportin e rafting në Shqipëri. Ajo është zëri i mbrojtjes së mjedisit e turizmit të aventurës dhe njihet mediatikisht si ‘’Blerina e Rafting’’, shkruan sot Koha Ditore.
Për kontributin e saj të vazhdueshëm është vlerësuar me çmimin “Vepro Tani” nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tiranë dhe “Modeli i Turizmit të Qëndrueshëm” nga Ministria e Turizmit. Është përzgjedhur si Histori Suksesi nga UN Women (2019) dhe nga USAID/Albania (2013) për kontributin dhe iniciativën në zhvillimin e turizmit rural në Shqipëri. Blerina ka qenë folëse në konferencën rajonale “AdventureNext_Balkans”, Maqedoni, dhe delegate në Kongresin Botëror të Turizmit Aventurë, Alaskë.
Natyra është një nga arsyet se përse njerëzit udhëtojnë. E imagjinoni, bëjnë me mijëra kilometra për të prekur një copëz parajse të krijuar nga ajo. Ndërsa unë mendoj se nuk kam për t’u ndarë ndonjëherë nga natyra. Nuk mbaj mend kur jam lidhur me të, por e kuptoj dita-ditës se do të jem gjithmonë pranë saj.
Në fëmijërinë time shëtisja me babin në pedonalen e bukur të Beratit në krah të lumit Osum, mes historisë së lashtë, legjendave mbërthyese dhe pamjeve piktoreske dhe dramatike. Mendoj se natyra më ka mësuar të vlerësoj rëndësinë e momenteve të jetës dhe të të pasurit një ekuilibër në këtë botë.
Sfidat në jetë më kanë bërë kjo që jam. Sigurisht që nuk kanë qenë të lehta, por mendoj se çdo sprovë e kaluar më ka përmirësuar. Patjetër që e kanë bërë udhëtimin tim më interesant, ndërsa kapërcimi i tyre i ka dhënë kuptim jetës sime. Kultivoni zakonin për të qenë falënderues për gjithçka të mirë që ju vjen dhe gjeni forcën të përballoni zhgënjimet. Të gjithë jemi kalimtarë në këtë jetë, prandaj mos kini frikë të dashuroni, besoni, ndieni dhe të mbroni atë që doni....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)