Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sijarina: Në politikë seksizmi është shumë i normalizuar

Liridona Sijarina nga Qendra Kosova për Studime Gjinore, thotë se politika mbetet thellësisht patriarkale dhe nuk ka shumë shpresë aty për gratë. Ajo ka thënë se gratë vetëm se ekzistojnë në politikë hasin vështirësi, ndërsa nëse përçojnë mesazhe politike atëherë persekutohen për herë të dytë.

“Mendoj se politika është terren i diskutueshëm. Mbetet thellësisht patriarkale, ku gratë kanë fare pak agjenci, atëherë nuk mund të themi që mund të gjejmë shpresë aty. E kemi parë në fund të ditës secili e secila anëtare e partisë i bindet interesave të kryesisë. Edhe burrat edhe gratë i nënshtrohen atyre që janë në krye të partisë e interesave të një pakicë, që është pakicë por që ka megjithatë pushtet. E për këtë ky terren mbetet i rrezikshëm edhe për ato gra. Gratë vetëm se ekzistojnë në politikë hasin shumë vështirësi, por edhe me përçu mesazhe feministe persekutohen për së dyti. Mendoj se e kemi parë çfarë ndodh me feministë. Janë cak më i lehtë për shkak të ideve që i kemi rreth grave. E kemi parë çfarë i ndodh feministëve, çfarë gjykimi publik i bëhet atyre. Një gjë e tillë është lehtë e transmetueshme edhe në politikë”, ka thënë Sijarina.

Ajo ka shtuar se seksizmi në politikë është shumë i normalizuar.

“E kemi parë që seksizmi në politikë është aq i normalizuar sa që ushqehet. Mediat janë katalizator, përveç që e mirëmbajnë seksizmin i japin edhe shtytje e ushqejnë vazhdimisht”, ka thënë Sijarina.