Sistemi aktual i ndarjes së pushteteve në Kosovë nuk është duke funksionuar sepse sjellja politike (political behaviour) e bartëseve të tij – partitë politike – nuk përkon me kërkesat dhe domosdoshmëritë që i imponon. Për këtë arsye, partitë ose duhet ta ndryshojnë qasjen ose të ndryshohet sistemi. Duke parë se gjasat më të mëdha janë që partitë të mos ndryshojnë qasje, duke iu përshtatur kërkesave të sistemit, atëherë duhet të ndryshohet sistemi, ashtu që t’i përshtatet kulturës politike që mbretëron në Kosovë. E kultura politike, duke e përfshirë edhe atë të qytetarëve, është që çështjet politike të mos zgjidhen nëpërmjet procesit politik, por votës. Kjo edhe ishte porosia e qytetarëve, kur 42-përqindëshi i LVV-së nga shkurti i 2025 u rrit në 51 për qind në dhjetor
Kur shqyrtimi gjyqësor shndërrohet në mjetin kryesor të zgjidhjes së krizave të shkaktuara nga partitë politike, ky është tregues se partitë nuk kanë vullnet të jenë bartës të një procesi politik të mirëfilltë, nëpërmjet të cilit do të shmangeshin krizat politike që e karakterizuan Kosovën prej më se një viti.
Vetë nevoja për të pasur arbitër zaten është pasojë e sistemit politik dhe e shprehisë që krizat të na i zgjidhin të tjerët – një trashëgimi politike që prej periudhës së administrimit ndërkombëtar të Kosovës. Ngërçet e njëpasnjëshme politike, shkaku i të cilave vendi nuk po mundet t’i formojë dhe konsolidojë institucionet qeverisëse, janë të shkaktuara drejtpërsëdrejti nga partitë politike. Kjo kolumnë nuk do ta kërkojë fajtorin për krizën e thellë politike e morale në të cilën ka rënë vendi, për shkak se konsideroj që të gjithë kanë hise faji, në proporcion me fuqinë politike që ua ka dhënë populli.
Shqyrtimi gjyqësor\kushtetues nuk është metodë e panjohur për zgjidhjen e çështjeve kontestuese në qeverisje. Por në Kosovë, ky shqyrtim është normalizuar aq shumë saqë është bërë i rrezikshëm për proceset demokratike. Ky normalizim i shqyrtimit gjyqësor\kushtetues tregon se partitë politike nuk po e kryejnë rolin themelor: atë të të qenit bartës të proceseve demokratike. Kosova ka sistem kompleks politik që kërkon angazhim të vazhdueshëm, negociata, kompromise e marrëveshje mes akterëve politikë. Po të kishte sistem dypartiak, gjërat do të ishin shumë të thjeshta: Partia që e fiton shumicën qeverisëse dhe i kontrollon të gjitha institucionet qeverisëse. Ky sistem ka qenë funksional ndër shekuj në Mbretërinë e Bashkuar, e cila formalisht është sistem shumëpartiak porse në praktikë dominohet nga dy pole politike. Po i njëjti sistem funksionon edhe në SHBA, i cili dominohet nga partia Republikane dhe ajo Demokratike. Sistemet e tilla thjeshtëzohen edhe më shumë për shkak se në Mbretërinë e Bashkuar, shefi i shtetit është monarku kurse ai i qeverisë është kryeministri që e mban tërë barrën e qeverisjes dhe të përfaqësimit të shtetit. E monarku luan rol ceremonial. Në SHBA, shef shteti dhe i qeverisë është presidenti që zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët e shteteve pjesëmarrëse në federatë. Në këto dy kontekste politike, shqyrtimi gjyqësor është më pak i nevojshëm ngase në to funksionon parimi se fituesi i merr të gjitha (winner takes it all).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë sisteme shumëpartiake, ku ka përfaqësim sipas parimit të proporcionalitetit, gjërat janë më ndryshe. Për më tepër, Kosova, e cila ka sistem zgjedhor proporcional, me presidentin si shef i shtetit dhe kryeministrin si shef i qeverisë (dhe me 17 për qind të ulëseve parlamentare të garantuara për pakicat që e bëjnë sistemin edhe më kompleks), por me faktin se që të dyja kanë kompetenca ekzekutive në disa çështje të kufizuara. Kësisoj, mund të vijë deri te rivaliteti politik, sidomos kur kemi të bëjmë me mungesë mirëkuptimi për ndarjen e pushtetit, në rastin e Kosovës, në çështjet e sigurisë dhe në politikën e jashtme, ku presidenti ka kompetenca ekzekutive së bashku me kryeministrin. Në rastin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, LVV-ja e fitoi 51 përqindëshin e votës qytetare, që është mjaft e pazakonshme për sistemet proporcionale, në të cilat, rëndom, proporcionaliteti prodhon peshore më të balancuar mes forcave politike. Tash, shtrohet pyetja nëse, me këtë përqindje të mbështetjes qytetare, ka qenë obligim i LVV-së që të angazhohet në gjetjen e një presidenti konsensual apo të gjejë rrugë të tretë për të ndarë pushtetin me parti të tjera politike? Njashtu, shtrohet pyetja se a kanë qenë të obliguara partitë opozitare të qëndrojnë në seancë plenare për zgjedhjen e presidentit dhe kësisoj t’ia mundësojnë LVV-së zgjedhjen e njëanshme të presidentit nga radhët e saj dhe rrjedhimisht, kontrollin absolut të të gjitha institucioneve ekzekutive dhe përfaqësuese?
Këto dy pyetje janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën për arsye që nëse LVV-ja nuk e ka konsideruar që ka obligim të angazhohet për një president konsensual, atëherë e njëjta vlen edhe për partitë opozitare, të cilat nuk kanë konsideruar që duhet t’ia mundësojnë LVV-së kontrollin absolut të shtetit. Pra, e para e tërheq të dytën dhe këtu vijmë deri te ngërçi politik.
Për një gjë janë pajtuar të gjitha partitë. Asnjëra nuk e ka dashur Vjosa Osmanin presidente për një mandat të dytë. LVV-ja shkaku se lideri i saj, Albin Kurti, në politikën e jashtme ka mbetur nën hijen e Osmanit, e cila, gjatë kohës sa Kosova ishte në krizë politike, arriti disa suksese dhe u bë interlokutorja kryesore e bashkësisë ndërkombëtare. E partitë opozitare për arsyen se e konsideronin atë aleate të Kurtit, në momente vendimtare. Pasi të gjithë janë pajtuar që Osmani nuk bën të jetë presidente edhe për një mandat, atëherë përse nuk janë pajtuar edhe se kush mund ta zëvendësojë atë?
Kjo pyetje mbetet pa përgjigje për arsye se as Kurti, as Hamza dhe as Abdixhiku nuk shpalosën detaje nga bisedat e tyre që ndodhën në vigjilje të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Në një prononcim, Abdixhiku i LDK-së tha se partia e tij nuk ka qasje refuzuese ndaj Osmanit. Mirëpo, megjithëkëtë, ai nuk shprehu mbështetjen e partisë së tij për mandat të dytë presidencial për Osmanin.
Në pamundësi që ta krijojnë një proces politik të suksesshëm që do të rezultonte me zgjedhjen e presidentit, me pajtimin e të gjithëve topi i është hedhur në fushë Gjykatës Kushtetuese, nga e cila pritet t’i udhëzojë partitë politike se si të sillen në mënyrë që vendi të dalë nga kriza. Megjithëkëtë, Kushtetuesja i ka dy mundësi: T’i pezullojë afatet kushtetuese dhe të urdhërojë vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit, me prani edhe të partive opozitare, e që do të ishte një mekanizëm i dëshiruar nga LVV-ja ngase do t’ia mundësonte zgjedhjen e Konjufcës, pa hyrë në një proces politik me partitë opozitare. Mirëpo as në këtë rast, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i detyrojë deputetët opozitarë t’ia bëjnë kuorumin LVV-së, kështu që LVV-ja, mbase me një logjikë të thjeshtë të konstruktivitetit, do të duhet ta gjejë rrugëdaljen në marrëveshje me partitë opozitare. Në mungesë konstruktiviteti, ky lloj vendimi i Kushtetueses mund ta çojë vendin në krizë të pafund.
Mundësia e dytë është që Gjykata Kushtetuese ta mbështesë dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, gjë që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, e ku populli përsëri do ta jepte verdiktin për atë se kush do që të jetë bartësi kryesor i pushtetit.
Zgjidhja më e mirë do të ishte zgjedhja e presidentit drejtpërsëdrejti nga populli. Kjo nuk do ta ndryshonte sistemin politik nga ai parlamentar në presidencial. Ka shumë vende me sistem parlamentar ku presidenti zgjidhet direkt nga populli. Si shembuj janë Maqedonia Veriore dhe Republika e Irlandës. Serbia nominalisht është sistem parlamentar, porse në fakt, shkaku i prirjeve autoritare, funksionon si sistem gjysmë-presidencial, duke i bërë mimikë sistemit politik të Federatës Ruse.
Më 2011, partitë e atëhershme më të mëdha politike në Kosovë - PDK-ja, LDK-ja dhe AKR-ja - u patën dakorduar për reforma kushtetuese, sipas të cilave, presidenti duhej zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Kundër kësaj reforme ishin AAK-ja dhe LVV-ja, ndërkaq, partitë minoritare, nëpërmjet shantazhit e kushtëzuan këtë reformë me rikthimin e ulëseve të rezervuara për to, me ç’rast përfaqësimi i partive të komuniteteve pakicë do të rritej eksponencialisht. Pavarësisht gjykimit afirmativ të Kushtetueses për reformën, ajo nuk doli në votim në Kuvend ngase partitë minoritare kërcënuan se do ta përdornin veton, pra nuk do ta mundësonin votimin e suksesshëm, duke ia dhënë shumicën e dyfishtë prej dy të tretave. Kjo mendësi e ngushtë, në të cilën interesat parciale vendosen mbi interesat shtetërore zaten e ka dëmtuar një reformë që, po të aprovohej më 2012, kur u patën votuar ndryshimet kushtetuese minus reformës për zgjedhjen e presidentit, nuk do ta kishim ngërçin aktual politik. Edhe propozimi i amendamenteve përkatëse kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani, në ditën e fundit të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, u bë jo për t’i dhënë zgjidhje situatës por për ta komplikuar atë edhe më shumë.
Cila mund të jetë rrugëdalja më e mirë për këtë krizë politike dhe për të evituar kriza të ngjashme në të ardhmen? Asnjëri variant i vendimeve të mundshme të Gjykatës Kushtetuese nuk do t’u japë zgjidhje përfundimtare krizave të politikës. Andaj, zgjidhja më e mirë, konsideroj, është që të mbahen zgjedhje të parakohshme për një Asamble Kushtetuese e jo për Kuvend me mandat të rregullt. Kjo Asamble, për të cilën duhen pajtuar forcat kryesore politike, do të merrej me reformat kushtetuese të domosdoshme që do ta mundësonin funksionimin normal të shtetit. Vendimet në këtë Asamble do të duhej të merreshin me shumicën prej dy të tretash të votave sepse do të kishte mandat të veçantë. Natyrisht se çdo vendim i kësaj asambleje do të duhej negociuar nga forcat politike, duke i përfshirë edhe përfaqësuesit e pakicave dhe ky proces politik do të duhej të bazohej në parimin e konsensusit politik, por pa shantazhet e 2011-tës që cilat u përmendën më lart. Një prej parimeve të ligjvënies të kësaj asambleje do të ishte ruajtja e përfaqësimit të komuniteteve pakicë, por duke e reduktuar mundësinë e tyre të vetos me zvogëlimin e pragut për shumicë të dyfishtë. Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, mandati i Asamblesë Kushtetuese do të përfundonte dhe do të mund të shpalleshin zgjedhjet e reja parlamentare e presidenciale. Në ndërkohë, derisa kjo asamble, mandati i të cilës do të mund të zgjaste deri në një vit, ta kryejë punën e saj, Kosova do të qeverisej nga një ekzekutiv kujdestar i dakorduar nga të gjitha partitë politike parlamentare.
Sistemi aktual i ndarjes së pushteteve në Kosovë nuk është duke funksionuar sepse sjellja politike (political behaviour) e bartëseve të tij – partitë politike – nuk përkon me kërkesat dhe domosdoshmëritë që i imponon. Për këtë arsye, partitë ose duhet ta ndryshojnë qasjen ose të ndryshohet sistemi. Duke parë se gjasat më të mëdha janë që partitë të mos ndryshojnë qasje, duke iu përshtatur kërkesave të sistemit, atëherë duhet të ndryshohet sistemi, ashtu që t’i përshtatet kulturës politike që mbretëron në Kosovë. E kultura politike, duke e përfshirë edhe atë të qytetarëve, është që çështjet politike të mos zgjidhen nëpërmjet procesit politik, por votës. Kjo edhe ishte porosia e qytetarëve, kur 42-përqindëshi i LVV-së nga shkurti i 2025 u rrit në 51 për qind në dhjetor. Në këtë mënyrë, verdikti popullor ishte se në vend të procesit politik që e imponon ky sistem për mbarëvajtjen e tij, ata preferojnë ta kenë fituesin e zgjedhjeve dhe proces politik minimal.
(Autori është doktor i shkencave politike).