Ministri i ri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar studentët e Fakultetit Ekonomik, të cilët iu nënshtruan provimit pranues në afatin e dytë, raporton KTV.
Bytyqi mori kritika për dikasterin që drejton, pasi që dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, i tregoi atij se shumica e kandidatëve nuk arrijnë që të kalojnë pragun prej 40 për qind të testit dhe ky fakt, sipas tij, duhet të jetë shqetësues për nivelet e politikëbërjes.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, shpreson që vizita e ministrit të Arsimit është tregues se do të jetë mbështetës i fuqishëm.
Ministri Bytyqi ka thënë se do të bëjë maksimumin që të krijohen kushte sa më të mira për studentët që të edukohen në frymën evropiane.
Se sektori i Arsimit ka probleme të shumta e ka pranuar edhe vet Bytyqi gjatë një konference për media, pas takimit që realizoi me përfaqësues të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA.
E Rron Gjinovci nga kjo organizatë ka bërë të ditur se ka marrë miratimin e ministrit se do të punojë dhe do të jetë i hapur për të gjitha kritikat.
Ndërkaq, ministri ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha organizatat për arsim, në mënyrë që të përmirësohen problemet në këtë fushë.