Arbëri

Shtyhet mbledhja e Kuvendit Komunal në Prishtinë, VV-ja akuzon për shkelje të ligjit

Mbledhja e dytë e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës e paraparë për 11 mars është shtyrë për datën 18.

Ky vendim u morë gjatë javës së kaluar, pa ndonjë paralajmërim nga Komuna e Prishtinës dhe pa dhënë ndonjë arsyetim për shtyrjen e saj.

Për mbledhjen ku pritet të shqyrtohen 10 pika të rendit të ditës, nga Komuna thonë se nuk ka ndonjë arsye për shtyrjen e saj.

Sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, asamblistët kanë kërkuar më shumë kohë për këtë seancë.

“Nuk ka ndonjë arsye për shtyrjen e kësaj seance. Thjeshtë asamblistëve iu është dashur më shumë kohë prandaj kemi marrë vendimin për ta shtyrë”, tha Kupina.

Por Vetëvendosje thotë të kundërtën.

Sipas tyre, kryesia e Kuvendit ka shkelur ligjin për vetë-qeverisjen lokale, duke mos thirr këtë seancë 7 ditë pune para mbajtjes së mbledhjes.

“Me 4 mars na ka ardhur ftesa që me u mbajt seanca e Kuvendit Komunal por e kemi vërejtur që nuk iu është përmbajtur ligjit për vetëqeverisjen lokale për shkak se ftesa na ka ardhur me 4 mars pastaj ka ndodhur që 5 dhe 6 marsi të jenë ditë vikendi. Ne e kemi vërejtur se është në kundërshtim me ligjin për Qeverisjen Lokale për shkak se në atë ligj, në atë nen, potencohet se duhet të jenë 7 ditë pune nga data e thirrjes me datën e mbledhjes”, tha asamblisti Ermal Osmani.

Ai shton se do të jenë vrojtues të çdo vendimi që do marr qeverisja Rama.

“Ne jemi gjithmonë të përgatitur, kanë shkelur ligjin dhe e kemi vërejtur, nëse ka qenë pakujdesi është në rregull. Nëse ka qenë e qëllimshme dhe kanë menduar se tejkalohet e kanë gabim sepse ne jemi vigjilent dhe jemi vrojtues për çdo vendim që kanë me marrë në Komunën e Prishtinës”, tha Osmani.

Në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal pritet caktimi i anëtarëve në komisionet e aksionarëve të ndërmarrjeve publike lokale të Komunës së Prishtinës.