Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit Komunal e cila është thirrur vetëm me një pikë të rendit të ditës, votimin e buxhetit për vitin 2026.
Përmes një njoftimi në Facebook, VV-ja ka arsyetuar vendimin e saj duke deklaruar se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka dërguar për votim buxhetin në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim paraprak dhe duke i anashkaluar anëtarët e Kuvendit Komunal e qytetarët e Prishtinës.
Duke e cilësuar si mungesë totale të transparencës, VV-ja ka thënë se dokumenti më i rëndësishëm i Kuvendit, buxheti për vitin pasues, nuk mund të trajtohet si pronë personale e Ramës.
“Raporti i Auditimit për vitin e kaluar ka zbuluar dhjetëra shkelje dhe keqpërdorime në vlera prej miliona eurosh. Kanë kaluar disa muaj që ky raport është publikuar, e pushteti aktual nuk e ka sjellë të njëjtin në Kuvend, përkundër faktit se e ka obligim ligjor. Rama refuzon të ballafaqohet me këto gjetje dhe abuzime me buxhetin e kaluar, ndërsa kërkon miratimin e një buxheti të ri”, thuhet reagim.
VV-ja ka deklaruar se në këtë projektbuxhet janë përfshirë edhe projekte që tashmë janë objekt hetimesh nga organet e drejtësisë, por edhe projekte të tjera të fryra, të paarsyetuara dhe të hartuara vetëm për të mbuluar gjurmët e keqpërdorimeve të deritanishme.
Tutje theksohet se ky është një buxhet që tenton të fshehë skandalet e vjetra dhe të prodhojë skandale të reja.
“Ne nuk kemi votë për të legalizuar mashtrimet politike të Përparim Ramës dhe drejtorëve të tij. Nuk bëhemi pjesë e keqqeverisjes. Buxheti i Prishtinës duhet të jetë instrument zhvillimi për qytetarët, jo mjet për mbijetesën politike të Përparim Ramës. Një pushtet që po largohet mes skandaleve dhe aferave nuk ka as të drejtë e as legjitimitet t’i fusë duart në buxhetin e së ardhmes. Përgjegjësia jonë është ndaj qytetarëve, jo ndaj një kryetari që edhe në fund të mandatit po rrezikon të ardhmen financiare të kryeqytetit”, ka deklaruar VV-ja.