Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shtohet prezenca policore në rrugët e Ferizajt

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka apeluar te vozitësit që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor.

Nëpërmjet një komunikate për media, policia ka njoftuar se ka shtuar prezencën policore në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale, urbane e rurale në gjithë rajonin duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të motit me reshje bore e ngrica në rrugë.

“Patrullat e Policisë Rajonale janë të fokusuara, së pari në dhënien ndihmë shoferëve të automjeteve që kanë nevojë gjatë qarkullimit, këshillimin e shoferëve të automjeteve për të zbatuar ligjet dhe rregullat e komunikacionit rrugor, por edhe në ndëshkimin e atyre që nuk i zbatojnë ato rregulla”, thuhet më tej në kumtesë.

Policia apelon te drejtuesit e automjeteve që të kenë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, të kenë vendosur gomat e dimrit dhe të jenë të kujdesshëm në komunikacionin rrugor, me theks të veçantë që të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, në raport me kushtet e rrugës dhe të mbajnë distancën e duhur mes automjeteve.