Numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për sëmundjet e zemrës, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është rritur, thonë zyrtarët në Klinikën e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë.
Sëmundjet kardiovaskulare, që prekin zemrën dhe enët e gjakut, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohen ndër shkaktarët e parë të vdekjeve. Ndërkaq Kosova nuk ka sistem të referimit shëndetësor dhe rrjedhimisht, nuk ka edhe statistika të sakta rreth vdekshmërisë që shkaktojnë sëmundjet e zemrës.
Klinika e Kardiologjisë Invazive dhe ajo e Kardiokirurgjisë, ka trajtuar shumë më shumë pacientë në vitin 2019, krahasuar me vitin paraprak, thotë Tefik Bekteshi, drejtor i këtyre dy klinikave. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se këto dy klinika kanë filluar të funksionojnë me dy salla operative, çka ka ndikuar në rritjen e numrit të shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Megjithëkëtë, lista e pritjes vazhdon të mbetet në funksion dhe pritjet ndodhin deri në 45 ditë për koronografi, tha ai.
“Këtë vit janë në funksion dy salla në kardiokirurgji dhe dy në intensive me 7 shtretër. Sa i përket numrit dhe procedurave në klinikë, vitin e kaluar për shembull kemi pasur 210 operime në zemër të hapur, derisa këtë vit 306 operime. Kanë qenë 1300 stentime vitin e kaluar, derisa këtë vit janë kryer 1600”, tha Bekteshi.
-
Sëmundjet kardiovaskulare ndër më vrastaret
-
Shatri: Kardiologjia me numër të madh të shërbimeve, por numër të kufizuar të shtretërve
-
Rreth 1 mijë e 500 pacientë në pritje për trajtim në Kardiologji
-
Sa janë reale shifrat e vdekshmërisë nëpër klinikat e QKUK-së
-
Mbi 14 mijë pacientë në lista pritjeje në gjithë Kosovën