Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë i është kthyer normalitetit dy ditë pasi në të kishte shpërthyer një zjarr.
Të moshuarit që jetojnë në këtë shtëpi janë shprehur të lumtur që po rikthehen.
“Mirë, super është. Na çuan në hotel me qëndru dy netë deri ta pastrojnë. Tash është në rregull”, ka thënë një prej tyre.
Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, i ka thënë KOHËS se të gjithë banorët e kësaj shtëpie janë në gjendje të mirë, ndërsa për zjarrin ka thënë se mund të jetë shkaktuar nga vetë njëri prej anëtarëve të shtëpisë.
“Janë rikthyer 57 pleqtë që i kemi strehuar për dy ditë në hotel Star Hill në Veternik, janë në gjendje të mirë. Për dy ditë së bashku me NPB-në kemi punuar me tërë kapacitetet që t’i sanojmë disa dëme. Shumë shpejtë pjesa e vjetër që është aty do të rrënohet dhe do të ndërtohet e re. Shkaktar po flitet të jetë vetë një pjesëtar i shtëpisë megjithatë ende nuk kemi diçka zyrtare”, ka thënë Lushaku.