Ilir Peci e Izmir Zeqiri u pritën me protesta kur shtatë muaj më parë nisën mandatin e kryetarëve të komunave në veri. Ditët e para të punës ata i krahasojnë me luftën në front. Tani theksojnë se situata ka ndryshuar dhe se qytetarët serbë u drejtohen për t’ua zgjidhur problemet.
Objekti në fshatin Kelmend të Zveçanit tash e shtatë muaj është bërë vend pune për kryetarin Ilir Peci.
Zyra për Komunitete dhe Kthim në këtë objekt është kthyer në zyrë të kryetarit e edhe të administratës së komunës.
Kryetari Peci thotë se fillimi i detyrës nuk ishte aspak i lehtë.
“Siç e dinë të gjithë, fillimi ka qenë nga zeroja për arsye se s`kemi pasur as zyrtarë, as asgjë. Por, gjatë punës sonë, tash bëhen shtatë muaj, kemi arritur deri më tani deri diku të kompletohemi me drejtorë, për momentin mirë jemi deri tani”, tha Peci.
Në një objekt të ngjashëm, disa kilometra më larg, punën si kryetar e realizon edhe Izmir Zeqiri.
Ditët e para të punës kryetari i Zubin-Potokut i krahason me luftën në vijën e parë të frontit.
“Fillimi, qysh prej zgjedhjeve që i patëm në pranverën e këtij viti, ne dolëm si fitues të garës për kryetar të komunës dhe fillimi ishte shumë i vështirë, me ballafaqime të mëdha, me revoltë qytetare të dirigjuara nga grupe të ndryshme kriminale... sikur me hi në vija të frontit ishte dita e parë e punës për neve”, tha Zeqiri.
Kryetarët e të dyja komunave në zgjedhje ishin kandidatë të PDK-së. Për dallim prej dy të tjerëve, që i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, ata iu bindën kërkesës së ndërkombëtarëve që detyrat t’i ushtrojnë nga zyrat alternative.
Në komunat në veri u protestua me ditë të tëra kundër kryetarëve të rinj shqiptarë. Por, Peci e Zeqiri thonë se tani ka serbë që kërkojnë zgjidhje nga ta.
“Një pjesë shumë e madhe janë në një mënyrë edhe duke na njoftë tamon si kryetar të komunës, i kanë kërkesat e tyre. Na jem përfundim e sipër të disa kërkesave të tyre me i përfundu. Për 2024 i kemi paraparë thuajse të gjitha kërkesat e qytetarëve, por tash të shohim sa mundemi me ja arrit”, tha Peci.
“Kemi arrit disa të konsolidohemi dhe natyrisht jemi të gatshëm që të punojmë në interesin e të gjithë qytetarëve tash në pikën kur jemi ardhë. Tash është një interesim më i shlirë i qytetarëve serbë qoftë për t’u punësuar, qoftë për të bashkëpunuar...” – tha Zeqiri.
Krahas Pecit e Zeqirit, kryetarë në komunat e banuara kryesisht me serbë janë edhe Erden Atiqi në Mitrovicë të Veriut e Lulzim Hetemi në Leposaviq. Ata nuk iu përgjigjën kërkesës së KOHËS për të folur mbi punën e tyre gjatë 7 muajve prejse janë vënë në zyrë.