Arbëri

SHSKUK-ja pa përgjigje për alarmin lidhur me infeksionet në sallat e operimit në Gjinekologji

Për shkak të mungesës së kushteve të duhura infrastrukturore në sallat e operimit të Klinikës së Gjinekologjisë, pacientet dhe foshnjat rrezikohen nga marrja e infeksioneve.

Në mungesë të filtrave, kjo klinikë pritet të përballet me të njëjtin problem edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Renovimi i sallave operative ishte një nga kërkesat kryesore që drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, e paraqiti në mbledhjen e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të mbajtur më 12 nëntor.

Ai theksoi se infeksionet spitalore janë në rritje, pavarësisht përpjekjeve të stafit për t’i parandaluar ato.

“Një kërkesë, një lutje ose sugjerim për klinikën tonë, çka kemi me pasë sfidë në vitin 2026 e tutje, renovimi i sallave operative, sidomos vendosja e filtrave. Aty e kemi problemin më të madhin se edhe infeksionet intrasplitalore janë në rritje, edhe pse po mundohemi boll që t’i ndalojmë në mënyra të ndryshme, por është pak e pamundshme se nuk i kemi mjetet. Pa një filtër të duhur në salla operative është problem, kështu që ky është sugjerimi im që të angazhohemi, të gjithë që filtrat të bëhen nëpër salla”, pati thënë Ndrejaj para një muaji.

Se kur do të plotësohet kjo kërkesë e Klinikës së Gjinekologjisë, KOHA ka pyetur drejtorinë e përgjithshme të ShSKUK-së dhe Bordin Drejtues, por që prej dy javësh nuk kanë ofruar përgjigje, e as nuk kanë ofruar raportet e Komisionit për Infeksione Spitalore.

Edhe pse drejtori i Klinikës, Zef Ndrejaj, ka theksuar se infeksionet spitalore janë në rritje, sipas një përgjigjeje nga kryesuesi i Komisionit për Infeksione Spitalore, Gazmend Spahija, niveli i infeksioneve në Gjinekologji gjatë vitit të kaluar ka rezultuar të jetë më i ulët krahasuar me vitin 2023.

“Raporti i infeksioneve spitalore për vitin 2025 ende nuk është përfunduar, ju përgjigjem se në total në vitin 2024 përqindja e infeksioneve ka qenë 4.67%, kurse në vitin 2023 ka qenë 5.45%. Në Klinikën e Gjinekologjisë në vitin 2024 ka qenë 0.25%, kurse në vitin 2023 ka qenë 0.32%”, ka thënë Spahija.
Ndonëse çështja e infeksioneve është ngritur në mbledhjen e Bordit nga vetë drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS se sa është numri i infeksioneve intraspitalore këtë vit dhe sa gjatë tre vjetëve të fundit.