Shërbimi Spitalor Klinik Universitar prej vitesh mban në stok barna dhe materiale medicinale me afat të skaduar, por vazhdon të mos bëjë publike sasinë dhe vlerën e tyre. Ndonëse drejtues të Barnatores Qendrore kanë deklaruar se ekzistojnë raporte periodike lidhur me këtë, të njëjtat nuk i kanë publikuar asnjëherë për publikun
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar vazhdon t’i mbajë të fshehura për publikun sasinë dhe vlerën e barnave dhe materialit medicinal me afat të skaduar, që prej vitesh i ka në stok.
Ndonëse vetë drejtoresha e Barnatores Qendrore, Dardane Mehaj, ka konfirmuar se për këto produkte të skaduara ekzistojnë raporte, ato nuk janë bërë publike asnjëherë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMehaj, e pyetur në emisionin “Konfront” në KTV, në shtator 2025, ishte shprehur e gatshme për t’i ndarë këto shifra.
“I kemi raportet, çdo tre muaj bëjmë raporte, kur bëhet regjistrimi I barnave nëpër barnatore, nëpër klinika, nëpër reparte, raportohen edhe barnat të cilat skadojnë...Ka barna. Më shumë është material medicinal që duhet të asgjësohet. Shifrat momentalisht nuk i kam, mirëpo mundem t’i ofroj. Iu kam ofruar kushdo që na ka bërë kërkesë”, pati thënë Mehaj muaj më parë.
Por pavarësisht disa kërkesave të televizionit, SHSKUK-ja dhe as Barnatorja Qendrore nuk kanë ofruar të dhëna konkrete lidhur me sasinë dhe vlerën e barnave me afat të skaduar.
Pesë muaj më vonë, pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, SHSKUK-ja ka deklaruar ndryshe, duke thënë se nuk e ka të përcaktuar vlerën monetare dhe as sasinë e tyre.
“Sa u përket pyetjeve të gazetares, bazuar në të dhënat nga Barnatorja Qendrore, ju informojmë se shumica e barnave dhe materialeve medicinale të deponuara në Barnatoren Qendrore me afat të skaduar datojnë nga periudha e pandemisë COVID-19. Kryesisht, ato janë donacione të pranuara nga organizata të huaja ose të dhuruara nga kompani farmaceutike gjatë asaj kohe, dhe si të tilla nuk kanë vlerë të përcaktuar monetare (çmim). Gjithashtu, në përputhje me Udhëzimin Administrativ (UA) për asgjësimin e produkteve dhe materialeve medicinale, vlera monetare dhe sasitë e sakta përcaktohen vetëm gjatë fazës së përgatitjes për shkatërrim. Sipas këtij udhëzimi, produktet numërohen për copë apo njësi dhe duhet të zhveshën nga ambalazhimi përpara procesit të asgjësimit. Për këtë arsye, aktualisht nuk disponojmë një sasi totale të saktë”, thuhet në përgjigjen e Barnatores Qendrore në SHSKUK.
Në Bordin Drejtues të SHSKUK-së, që ka rol mbikëqyrës të institucionit, nuk treguan gjatë ditës nëse i posedojnë këto raporte të Barnatores Qendrore dhe nëse kanë kërkuar përgjegjësi lidhur me sasinë dhe vlerën e barnave dhe materialit medicinal me afat të skaduar.
As në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë treguar nëse kanë informacione lidhur me situatën e barnave me afat të skaduar në SHSKUK. Kanë kërkuar që për këtë çështje të pyetet vetë SHSKUK-ja.
“Sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë çështje, ju kemi ofruar të gjitha informatat dhe dokumentet e nevojshme. Ndërsa, sa i përket SHSKUK-së, ju lutemi që përgjigjet t’i prisni nga ana e tyre, pasi që SHSKUK është organizatë buxhetore e pavarur dhe menaxhon, distribuon dhe realizon prokurimet në mënyrë të pavarur”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Në vitin 2024, në Barnatoren Qendrore patën deklaruar se ka shumë lloje barnash dhe material medicinal me afat të skaduar, të grumbulluara ndër vite, disa prej tyre që prej 15 vjetësh.
Vitin e kaluar, KOHA ka raportuar se në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë ishin të grumbulluara 150 tonë barna dhe materiale shpenzuese medicinale të papërdorura, të cilave u ka skaduar afati.
Procesi i fundit për shkatërrimin e barnave me afat të skaduar është bërë në vitin 2011.