Arbëri

Gjysmë milioni euro për asgjësimin e 150 tonë barnave e materialit medicinal të skaduar

Ministria e Shëndetësisë synon që ta bëjë asgjësimin e barnave dhe të materialit shpenzues medicinal me afat të skaduar. Sasia e grumbulluar prej më shumë se një dekade është 150 tonë, dy të tretat e së cilës nuk dihet se çfarë përmbajtje ka. Sipas tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, kostoja për asgjësimin e këtyre materialeve është gjysmë milioni euro

Në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë ndodhen të grumbulluar 150 tonë barna dhe materiale shpenzuese medicinale të papërdorura e të cilave u ka skaduar afati. 

Nga kjo sasi ka edhe barna e material që janë pranuar në formë donacioni, përderisa të tjera janë blerë nëpërmjet tenderëve publikë.

Rreth gjysmë milioni euro është kostoja që Ministria e Shëndetësisë e ka paraparë për ta asgjësuar këtë sasi të grumbulluar prej më shumë se një dekade.

Në dy muaj, ky institucion i ka iniciuar dy tenderë për këtë synim.

I pari është anuluar në qershor, pasi që dy operatorë ekonomikë kanë prezantuar oferta që e kanë tejkaluar vlerën totale të parashikuar, e cila ka qenë 260 mijë euro. Njëra prej ofertave ka qenë 370 mijë euro, teksa tjetra 420 mijë euro.  

Një muaj pas dështimit, Ministria e ka rritur vlerën në 497 mijë e 500 euro dhe ky aktivitet i prokurimit aktualisht ndodhet në fazën fillestare.

Në dosje të tenderit specifikohet se në depo ka produkte ende të paidentifikuara.

“Për barnat dhe materialin shpenzues të identifikuar: Asgjësimi i barnave dhe materialit medicinal të skaduar, të cilat janë të verifikuara dhe listuara sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi me listën e bashkëlidhur me artikuj me peshë deri në 50,000 kg (në ndërkohë, gjatë realizimit të kontratës do të jepet pesha e përafërt). Hapësira ku janë të vendosura produktet e paidentifikuara zë vëllim mjaft të madh (hapësirë e papërcaktuar), minimum rreth 180 e maksimum 230 metër kub (m3), sasi rreth 100,000 kg”, thuhet në dosjen e tenderit.

Bazuar në këtë dosje, fituesi i tenderit ka për detyrë që ta bëjë matjen, përgatitjen, transportimin dhe asgjësimin e 50 tonë barnave dhe materialit shpenzues të identifikuar.

Ndërkaq, dyfishin e kësaj sasie duhet që ta identifikojë dhe më pas edhe ta asgjësojë.

Ministria e Shëndetësisë e ka shkurtuar afatin kohor për dorëzim të tenderëve. 

“Është shumë e nevojshme të asgjësohen barnat dhe materiali shpenzues i identifikuar dhe i paidentifikuar, meqenëse paraqesin rrezik dhe pengesë në depo, duke e marrë parasysh se tani MSH-ja është në proces të realizimit të depos së re të marrë nga AKP-ja dhe kjo sasi nuk mund të jetë pjesë e depos së re”, bëhet e ditur në dosje të tenderit.

KOHA ka raportuar vite më parë për gjendjen kritike në Depon e Barnave, e cila është në mbikëqyrjen e Ministrisë dhe ndodhet brenda Pallatit të Rilindjes.

Në të ruhen barnat për sistemin parësor shëndetësor. Aty ka munguar ndriçimi, ajrosja, si dhe ndarja adekuate mes barnave me afat dhe atyre të skaduara.

Më 24 qershor kanë filluar punimet për rinovimin e objektit të Depos së Barnave dhe për ndërtimin e një aneksi në Fushë-Kosovë, ku do të vendoset depoja e re. Ato parashihet që të përfundojnë deri në fundvit.

Barna me afat të skaduar ka të grumbulluara prej gati 15 vjetësh edhe në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK). Në këtë institucion dhe as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë treguar për sasinë dhe për vlerën totale të barnave të skaduara dhe se sa për qind e tyre janë pranuar nëpërmjet donacioneve. 

Procesi i fundit për shkatërrimin e barnave me afat të skaduar është bërë në vitin 2011.