Arbëri

SHSKUK-ja i lë disa spitale pa ilaçe esenciale e bazike

Disa nga spitalet rajonale të përgjithshme kanë mbetur pa disa nga ilaçet esenciale e bazike. Në Spitalin e Pejës, Mitrovicës e Gjilanit kanë konfirmuar për mungesa të produkteve të ndryshme, përfshirë mungesën e glukozës, antibiotikëve, jodit e kateterave. Në SHSKUK nuk kanë dhënë sqarim për mosfurnizimin e spitaleve të përgjithshme

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i ka lënë spitalet e përgjithshme pa ilaçe esenciale e bazike. 
Disa nga këto institucione shëndetësore kanë konfirmuar se furnizim të qëndrueshëm nuk kanë pasur që nga fillimi i vitit.

Burime të KOHËS në Spitalin e Pejës kanë treguar për mungesë të antibiotikëve, jodit, një ampule që përdoret për ta përforcuar funksionin e muskujve pas operacionit, glukozës e kateterave.

Nga Spitali i Pejës kanë thënë se për këto mungesa nuk kanë pranuar arsyetim zyrtar nga SHSKUK-ja.

“Ceftriaxon ampulla herën e fundit jemi furnizuar më 28.01.2025 (TM/1), nga OE General Pharm në sasi 12.000 copë. Kemi pasur deri më 06.05.2025. Neostigmin ampulla sivjet (2025) nuk kemi pasur furnizime nga L.E. Na ka ndihmuar QKUK-ja dy herë, dhe atë më 07.05.2025=200 copë dhe me 25.02.2025=50 copë. Kemi pasur deri më 08.05.2025. Povidon Jod 10 % sivjet (2025) nuk kemi pasur furnizim nga LE (lista esenciale) nga OE Matkos, për raste emergjente nga buxheti vetanak i kemi blerë 20 L. Kemi pasur deri me 13.05.2025”, thuhet në përgjigjen nga Spitali i Pejës.

Ky spital ka mbetur edhe pa serumin Ringer, që përdoret për hidratimin e trupit, e ka njoftuar se në stok i ka sasitë e fundit të kateterave. 

“Sol Ringer 500 ml, furnizim nuk kemi pasur. Furnizimi i fundit ka qenë me 13.01.2025 (TM4 2024). Na ka ndihmuar QKMF-ja në Pejë dy herë: 04.06.2025 = 1800 copë dhe me 04.07.2025 = 500 copë. Kemi pasur deri me 10.07.2025. Sa i përket kateterave, herën e fundit kemi pasur ndihmë nga QKUK-ja, dhe atë me 20.06.2025 = 200 copë dhe 03.07.2025 me 140 copë. Në stok i kemi vetëm 10 copë”, thuhet në përgjigje të Spitalit të Pejës.

Disa nga këto produkte mungojnë edhe në Spitalin e Gjilanit.

“Ampula Neostigmine, nuk jemi furnizuar për TM1. TM2 kemi huazuar nga QKUK-ja 330 amp. Albumine, nuk jemi furnizuar për TM2. Glucosa 5%500ml nuk jemi furnizuar për TM1 dhe TM2. Ringer, jemi furnizuar nga depoja e ministrisë”, thuhet në përgjigjen nga Spitali i Gjilanit.

E në Spitalin e Mitrovicës kanë thënë se së shpejti pritet furnizimi me produktet që mungojnë.

“Në SP Mitrovicë ka disa mungesa, por që shumë shpejt pritet furnizimi me to. Shumë shpejt pritet furnizimi me Glukozë 5% dhe Povidon Jod”, thuhet në përgjigje.

Lidhur me mungesën e ilaçeve, KOHA i ka pyetur edhe në spitalet e tjera, porse nuk kanë ofruar përgjigje.

Sqarime rreth mungesës dhe mosfurnizimit të spitaleve nuk dhanë tash e një kohë as në SHSKUK, që është institucion përgjegjës për furnizim të spitaleve me ilaçe. 

Bazuar në uebfaqen e prokurimit publik, më 27 qershor SHSKUK-ja e ka iniciuar një tender për kontraktim me antibiotik ceftriaksion, por që nuk është finalizuar ende me kontratë.

Ndërkaq, për aktivitetin e prokurimit për blerjen e jodit, i nisur në dhjetor të vitit të kaluar, tek më 12 qershor SHSKUK-ja ka nënshkruar kontratë, pas pezullimit të aktivitetit në Organin Shqyrtues të Prokurimit si pasojë e ankesave.