Qendra Klinike Universitare vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të barnave esenciale – nga kaliumi, i domosdoshëm për pacientët me gjendje të rënda shëndetësore, te medikamentet për trajtimin e kancerit dhe vitaminat bazë. Shumë qytetarë detyrohen t’i blejnë vetë barnat për trajtimin e familjarëve të tyre
Një nga preparatet më thelbësore për trajtimin e hipokalemisë, kaliumi, mungon në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Një prind, i cili i është drejtuar KOHËS, ka thënë se është përballur me mungesën e këtij ilaçi për djalin e tij, i cili kishte probleme me të vjella.
“Ka qenë e tmerrshme. Në klinika mungon edhe gjëja më bazike që përdoret më së shpeshti, kaliumi. Kur më thanë se edhe për këtë ka mungesa këto ditë, u tmerrova. Në çfarë vendi jetojmë? S’ka pothuajse asgjë gati, çdo gjë duhet ta blesh me para”, ka thënë ai.
Mungesën e këtij ilaçi e kanë pranuar edhe në barnatoren qendrore, duke thënë se është shkaktuar nga dështimet e mëhershme në procesin e kontraktimit.
“Produkti kalium është në procedurë të kontraktimit, pas disa dështimeve për kontraktim”, thuhet në përgjigje.
Njohësi i politikave shëndetësore, Vlorian Molliqaj, paralajmëron se situata mund të përkeqësohet nga fillimi i vitit të ardhshëm, kur, sipas tij, nuk do të ketë më buxhet të mjaftueshëm as për listën e barnave esenciale.
“Pritet që kjo krizë do të thellohet në shpinë të pacientëve tanë, prandaj urgjentisht kërkohet nga institucionet relevante që të krijojnë përshpejtim të procedurave sa i përket aprovimit të barnave që tashmë janë aprovuar dhe të përdoren në vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu, t’u jepet prioritet ankesave në OSHP, që tenderët për listën e barnave esenciale të trajtohen shpejt dhe të krijohet një rezervë shtetërore për 3 muaj apo 6 me barna nga lista e barnave esenciale”, ka thënë Molliqaj.
Edhe pacientët në Onkologji tash e disa javë janë përballur me mungesë të palbociclibit, një ilaç që përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit në fazë të avancuar. Në SHSKUK patën thënë se sasia është harxhuar më shpejt nga sa ishte parashikuar.
Burime të KOHËS thanë se ka mungesë edhe të vitaminës B-kompleks, por për këtë SHSKUK-ja nuk është përgjigjur.