Eksportet shqiptare drejt Kosovës po njohin një hov të madh këtë vit. Vetëm në shtatë muajt e parë 2025, ato kanë kapur mbi 41 miliardë lekë ose 422 milionë e 394 mijë e 710 euro (sipas kursit aktual lek-euro), gati dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, importet nga Kosova kanë shënuar rënie me rreth 1.5 miliardë lekë (15 milionë e 453 mijë e 465 euro).
Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), importet për 7-mujorin llogaritën rreth 7.5 miliardë lekë (77 milionë e 267 mijë e 325 euro), nga gati 9 miliardë lekë (92 milionë e 720 mijë e 790 euro) që ishin në 7-mujorin e vitit 2024.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.
Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.
Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe trangujt.
Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 30 miliardë lekë (360 milionë e 580 mijë e 850 euro) minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.
Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën, raporton ATSH.