Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shpallet sërish konkursi për drejtor të KEK-ut, Njazi Thaçi në garë

Për herën e tretë është shpallur konkursi për drejtor menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), i cili do mbyllet më 10 shtator 2018. Në këtë garë për drejtor do të jetë edhe ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçi.

Thaçi ka pranuar për KosovaPress se do të jetë në garë për drejtorin menaxhues të KEK, sepse ai, thotë se është pjesë e kësaj korporate që nga viti 2007 dhe i plotëson të gjitha kushtet që të drejtojë këtë ndërmarrje publike.

“Jam pjesë e menaxhmentit të KEK-ut që nga viti 2007, jam pjesëmarrës në vendimmarrje nga 2007 e deri më sot, që KEK-u ka arrit një performancë që e ka sot. Kam të mbaruar studimet në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Fakultetin Politeknik të Tiranës, studime pesë vjeçare. I plotësojë të gjitha kriteret që janë dhënë në konkursin e shpallur publik dhe besoj që do të konkurroj. I kam të qarta të gjitha objektivat që KEK-u për të ardhmen. Mbetët përgjegjësi e Bordit të Drejtorëve të vendos se kush është më i miri”, ka thënë Thaçi.

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Drejtori Menaxhues i deritanishëm i KEK, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij dhe menjëherë pas dorëheqjes së Gjukajt, Bordi kishte emëruar Ushtrues detyre të drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçi.

Pas dorëheqjes së Arben Gjukajt, për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues në KEK më 5 prill, ndërsa është rishpallur më 1 qershor dhe për herë të tretë konkursi është hapur më 9 gusht, i cili mbetet i hapur deri më 10 shtator.