Organizata joqeveritare, “Syri i Vizionit”, në Pejë, në bashkëpunim me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), kanë ndihmuar të martën rreth 400 familje me 1.100 pako emergjente.
Këto pako emergjente janë ndarë për fëmijë nga mosha deri në 3 vjeç dhe për familjet në nevojë të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali në lagjen “7 Shtatori” dhe fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës.
Me këto ndihma, drejtuesit e kësaj organizate thanë se kishin për qëllim që të lehtësojnë sadopak gjendjen ekonomike e sociale të këtyre familjeve në tejkalimin e situatës me pandeminë dhe ruajtjen e shëndetit.
“Syri i Vizionit” po ashtu ka shpërndarë 90 pako emergjente për familjet e izoluara dhe të cilat janë prekur me virusin COVID-19.
“Syri i Vizionit është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe grupet e interesit, jo vetëm në komunën e Pejës, por në të gjitha komunat e Kosovës, për t’u dalë në ndihmë gjatë kësaj faze të vështirë për vendin. Organizata po ashtu është duke bërë shpërndarjen e informatave të besueshme dhe vetëdijësuese për fëmijët dhe për prindërit, për përballimin sa më të lehtë të kohës së qëndrimit në shtëpi me anë të fushatave vetëdijësuese në programe të ndryshme online, në mënyrë që kjo gjendje të jetë sa më lehtë për të gjithë”, ka thënë drejtori i kësaj OJQ-je në Pejë, Veton Mujaj.
Shpërndarja e pakove emergjente, sipas Mujajt, është bërë derë me derë nga personeli i kësaj organizate, në bashkërendim të vazhdueshëm me Ekipin Emergjent Komunal dhe Policinë e Kosovës, të cilët kanë qenë të pranishëm edhe në terren.
“Rëndësi shumë e veçantë gjatë gjithë kohës i është kushtuar zbatimit në përpikëri të të gjitha rregullave, si mos-grumbullimi i personave, mbajtja e distancës sociale dhe përdorimi i pajisjeve të duhura, si dorëza, maska e dezinfektues, duke ruajtur kështu si personelin tonë ashtu edhe përfituesit e këtyre pakove”, tha Mujaj.
Kjo nismë, siç tha Mujaj, është realizuar në mbështetje të programit “PROSPECT 3”, në partneritet me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe mbështetje të çmuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe organizatës humanitare gjermane “Karl Kübel Stiftung für Kind und Familje”.