Mbështetja me pako për biznes ka inkurajuar një numër të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që të krijojnë vende pune për veten e tyre, apo edhe ndonjë të afërm. Në saje të kësaj shtytjeje fillestare ata synojnë fuqizimin e veprimtarisë së tyre. Por, edhe ëndërrojnë që një ditë të depërtojnë në tregjet e jashtme.
Punësimi i pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vitet e pasluftës në territorin e Komunës së Prizrenit është shoqëruar me sfida të ndryshme.
Jetesa e vështirë ka shtyrë një pjesë të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që të emigrojnë ilegalisht në vendet e Evropës Perëndimore.
Një pjesë e tyre janë riatdhesuar dhe organizatat me bazë në komunitet prej disa vjetësh janë angazhuar për riintegrimin e tyre, duke lehtësuar edhe qasjen e tyre në tregun e punës.
Shembujt inkurajues në këtë drejtim kanë shtyrë OJQ-në “Nevo Koncepti” që një përkrahje të tillë të ofrojë edhe për disa pjesëtarë të tjerë të komunitetit, që kanë pasur ide të qarta për vetëpunësim.
Leonard Jashari, 22 vjeç, bashkë me djalin e axhës, Brendonin, në saje të disa pajisjeve të përfituara nga programi i kësaj i organizate, kanë përmirësuar cilësinë e punës së tyre dhe tani synojnë rritjen e biznesit.
“Qe tre muaj kemi arritur me zhvillu biznesin në mënyrë perfektë, edhe sot e kemi mendua me u rritë me një lokal edhe më të madh edhe me fuqi punëtore më shumë”, ka thënë Jashari.
Krahas kësaj, me produkte të hekurit kanë krijuar biçikletën e tyre me të cilin synojnë një ditë depërtimin edhe në tregjet e jashtme.
tash kemi qenë shumë mirë, me gjithçka, edhe në të ardhmen përveçqë kemi me pasë të ardhura më të sigurta, po mendojmë me rritë biznesin edhe për shtetet e jashtme”, ka thënë ai.
Një përfituese tjetër është Kibarije Koka, nënë e tre fëmijëve, që ka filluar të krijojë të ardhura për familjen e saj, si frizere dhe grimere.
“Gjatë dy muajve të kaluar ne kemi punuar me pajisjet që i kemi përfituar nga ‘Nevo Koncepti’, kemi pasë kliente që kanë ardhë me u rregullu te ne. Nuk ka qenë numri tepër i madh, meqë jemi në fillim, siç dihet derisa të adaptohemi, derisa vajzat ta marrin seriozisht punën me ditë qysh është duke u punuar, por ka qenë një angazhim dhe mbështetje tepër e mirë”, ka thënë Koka.
Drejtori i OJQ-së “Nevo Koncepti”, Osman Osmani, ka theksuar se me projektin disavjeçar që mbështetet nga fondacioni “Karl Kuber Stiftung” dhe financohet nga Qeveria Gjermane synohet përmirësimi i kushteve të jetesës së këtyre komuniteteve.
Ai ka sqaruar se deri më tani për personat e riatdhesuar por edhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit janë shpërndarë 29 pako biznesi, derisa ka pasur asistime edhe për punësim.
“Jemi duke i monitoruar për çdo muaj këto raste dhe kemi vërejtur se në shumicën e rasteve kanë filluar të punojnë qoftë vetë, qoftë në bashkëpunim me ndonjë biznes dhe në këtë mënyrë e kanë përsosur punën dhe janë duke siguruar mjete për ekzistencën e familjes së vet, që jep një optimizëm që kemi bërë një punë të mirë dhe një qëndrueshmëri, ku edhe pse janë kthyer, edhe pse në fillim kanë qenë të papunë në këtë moment janë duke punuar diçka dhe janë duke siguruar ekzistencë për familjen e vet”, ka thënë Osmani.
Ai pohon se ka ende punë për të luftuar papunësinë në mesin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve të margjinalizuara.