Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shoqëria civile letër partive politike që të shmangen zgjedhjet

kuvendi i kosoves

Foto: Driton Paçarada

Disa organizata joqeveritare e kanë publikuar një letër publike për partitë politike parlamentare, liderët e tyre dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, me anë të së cilës kërkohet që të gjindet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit e të shmangen zgjedhjet e sërishme.

Në letër thuhet se duke vlerësuar zhvillimet aktuale politike, ekziston rreziku real që vendi të përballet sërish me zgjedhje, duke u cenuar kështu funksionimi demokratik të institucioneve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me anë të letrës kërkohet që subjektet parlamentare; të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjësi në dialog konstruktiv ndërpartiak; të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake dhe të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje që siguron funksionimin e plotë institucional.

“Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit është domosdoshmëri për stabilitetin institucional. Zgjedhjet e përsëritshme të parakohshme nuk duhet të konsiderohen si instrument për të garantuar funksionimin e institucioneve, por përkundrazi, ato e rrisin pasigurinë dhe dëmtojnë vazhdimësinë institucionale. Një President i zgjedhur me konsensus ofron stabilitet, siguron funksionimin normal të pushteteve dhe rrit besimin qytetar në institucionet e shtetit”, thuhet mes tjerash në letrën e publikuar.

Organizatat të cilat e kanë nënshkruar këtë letër janë: Demokraci Plus, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Lëvizja FOL dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 4 mars të zgjedhë presidentin e ri. Kurti para disa ditësh ka zhvilluar takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të diskutuar lidhur me çështjen e presidentit. Pas takimeve, ata kanë thënë se vendit i nevojitet një president konsensual.

Deri tash, presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme edhe për një mandat të dytë.