Procedimi sa më parë i Projektligjit për Qeverinë në Kuvendin e Kosovës po shihet si i domosdoshëm nga shoqëria civile.
Me Ligjin për Qeverinë do të reduktohet numri i ministrive, zëvendësministrave, këshilltarëve politikë dhe nëpunësve në kabinetin e kryeministrit.
Deri më tash, krijimi i ministrive është bërë me vendime të Qeverisë varësisht nevojës. Mirëpo, analistët theksojnë se kjo është keqpërdorur nga të gjitha qeveritë, varësisht prej kërkesave të partive politike për akomodim brenda Ekzekutivit.
Ky ligj i cili është draftuar nga Qeveria, është dërguar në Komisionin e Venecias për të marrë komente, në mënyrë që të shmanget mundësia e shkeljeve kushtetuese, sidomos e nenit 96, pika 2, ku thuhet se Qeveria përcakton numrin e dikastereve Qeveritare me një akt të brendshëm, raporton KOHA.
Visar Rushiti, nga Organizata Democracy Plus, e cila ka kontribuuar me komente për draftimin e këtij projektligji, thekson se është shumë e rëndësishme që të ketë ndarje të punëve në mes të zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave të tjerë dhe për numrin e tyre të vihet një limit.
“Në Projekt-Ligjin për Qeverinë ne i kemi dërguar disa komente ku duhet të jetë specifik numri qoftë 15 qoftë 17, të caktohet një tavan i numrit të ministrive. Pastaj të specifikohet se sa zëvendës kryeministra duhet t'i ketë, po ashtu sa zëvendësministra, jo më shumë se 2 për çdo ministri dhe të përcaktohet një numër i nëpunësve që marrin pjesë apo që punojnë në këto kabinete politike, qoftë në zyrën e kryeministrit qoftë nëpër ministri. Po flasim që të ketë një madhësi optimale të Qeverisë e cila do të reduktonte shpenzimet e parasë publike”, ka thënë Rushiti.
Edhe
Ligji për Qeverinë nuk parasheh kufizim të numrit të ministrave e zv.ministrave
Ndërsa, analisti politik, Rasim Alija ka thënë se kompetencat e një Qeverie në dorëheqje do të duhej domosdo që të parashiheshin me Ligjin për Qeverinë në mënyrë që, ndër të tjera, të shmangen vendimet që kanë implikime të mëdha financiare.
“Ligji për Qeverinë do të duhej të parashihte edhe një pjesë ku flitet për detyrat dhe përgjegjësitë e Qeverisë në dorëheqje. E kemi parë të paktën dy apo tri Qeveri e kanë mbajtur mandatin edhe 3-4 muaj deri sa janë krijuar kushtet për zgjedhje të reja dhe kemi parë shumë hamendësime e vendime të parregullta që janë kontestuar edhe nga ana e legjitimitetit të marrjes së vendimeve nga një qeveri në dorëheqje”, është shprehur Alija.
Komentet nga Komisioni i Venecias pritet që të kthehen në tetor dhe brenda këtij viti ligji të procedohet në Kuvend. Por, në rast të miratimit, analistët janë skeptikë se i njëjti mund të zbatohet apriori për Qeverinë aktuale.