Arbëri

Ligji për Qeverinë nuk parasheh kufizim të numrit të ministrave e zv.ministrave

Organizimi dhe funksionimi i Qeverisë së Kosovës synohen të rregullohen me ligj.

Projektligji për Qeverinë, i cili është në agjendë të Ekzekutivit, pritet të rregullojë mënyrën e punës së Qeverisë, por jo edhe përbërjen e saj.

Me këtë projektligj nuk parashihet që të kufizohet numri i ministrave e zëvendësministrave.

Në një përgjigje për KOHËN, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se me Kushtetutë numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj, kësisoj me Ligjin për Qeverinë nuk do të ketë kufizime.

“Për sa i përket kufizimit të numrit të ministrave, neni 96 (2) i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se numri i anëtarëve të Qeverisë përcaktohet me aktin e brendshëm të saj. Si rrjedhojë, Projektligji për Qeverinë ka përcaktuar vetëm kriteret në bazë të të cilave mund të rritet ky numër, por jo edhe saktësimi i këtij numri”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Deri më tash numri i ministrive është shtuar me vendime të Qeverisë.

Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se është e nevojshme që nëpërmjet ligjit, numrit të ministrave e zëvendësministrave t’u vihet një tavan, në mënyrë që pushteti të mos shërbejë për akomodim të interesave të partive politike.

“Ligji duhet ta ketë parasysh që të jetë i bazuar për ta rrtiur efektivitetin e Qeverisë dhe për ta rritur llogaridhënien, pasi që për vendet siç është Kosova me një qeveri pa limit, me numër shumë të madh edhe të këshilltarëve politikë edhe të zëvendësministrave, përpos barrë e buxhetit është përdorur shumë edhe për abuzime të ndryshme korruptive”, ka thënë Fetahu.

Qeveria që shkoi kishte përgatitur një draft të këtij Ligji me të cilin numri i zëvendëskryeministrave kufizohej në 3, numri i ministrave në 15, por me propozim të mandatarit për formimin e Qeverisë numri mund të shkonte deri në 17, derisa zëvendësministra do të mund të emëroheshin jo më shumë se 40.

Ndonëse për këtë projektligj ishte punuar edhe në Qeverinë Hoti, edhe në atë Haradinaj, ai nuk ka arritur të procedohet në Kuvend.

Nga Ekzekutivi i tanishëm kanë thënë se Zyra Ligjore në kuadër të Qeverisë është marrë intensivisht me këtë projektligj dhe se deri nga fundi i vitit do të jetë i mundshëm miratimi i tij.

“Projektligji për Qeverinë ka qenë pjesë e programit legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndër vite. Në këtë drejtim Zyra Ligjore është marrë intensivisht me hartimin e këtij Projektligji, me qëllim te përcaktimit të kornizave ligjore brenda të cilave operon Qeveria e Republikës së Kosovës. Së fundmi, Programi legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021 ka paraparë datën 29 tetor 2021 si afat të miratimit të këtij Projektligji nga Qeveria”, thuhet tutje në përgjigjen e Qeverisë.

Aktualisht Qeveria përbëhet nga 3 zëvendëskryeministra, 15 ministra e 25 zëvendësministra.