Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj është shkarkuar nga posti i saj, marrin vesh burime të Koha.net brenda Qeverisë.
Shkarkimi i saj, këto burime i kanë thënë Koha.net ka të bëjë me mosmarrëveshjet për Task-Forcën e krijuar nga kryeministri Ramush Haradinaj për Mjedisin.
Portali ka tentuar të marrë konfirmimin edhe nga Reshitaj por ajo ka qenë e paqasshme.
Përveç saj, Koha.net ka tentuar të kontaktojë edhe me Zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh Ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli, si dhe me këshilltarin e tij Jetlir Zyberaj, por kontakti me ta ishte i pamundur.
Burime tjera i kanë thënë portalit Koha.net se arsyeja e shkarkimit të mundshëm nuk ndërlidhet me Task-Forcën për Pastrim, por se problemi qëndron brenda partisë së Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, partia nga e cila vjen edhe Reshitaj.
Ditë më parë, Qeveria kishte miratuar vendimin për krijimin e Task Forcës për pastrimin e mjedisit në periudhën 15 shtator- 15 dhjetor 2018.